Apeli ul dënimin për Gucatin dhe Haradinajn
Gjykata e Apelit ka ulur masën e dënimit për ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.
Nga 4 vjet e gjashtë muaj burgim, Apeli uli për tre muaj këtë dënim ndërsa, gjoba prej 100 eurove mbetet në fuqi.
Gjatë këtij aktgjykimi u potencua se Gucati dhe Haradinaj do të mbesin ën paraburgim deri në momentin kur të transferohen për ta vuajtur dënimin e krahas kësaj në masën ndëshkimore do të llogaritet edhe periudha sa kanë qenë të ‘mbyllur’.
Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara, raporton Betimi për Drejtësi.
Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
/Shqip.com