Lajme

Pas tragjedive në bregdetin shqiptar, vihet kontrolli në plazhe

Të dielën që lamë pas, një 50-vjeçar dhe dy djemtë e tij të mitur, rreth 13 dhe 15 vjeç, janë mbytur në bregdetin e Kavajës.

ABC News Albania, raporton se, dallgët ishin shumë të mëdha dhe në fillim kanë rrëmbyer njërin prej djemve dhe babai me djalin tjetër kanë tentuar ta shpëtojnë.

“Për shkak të rrymave të forta që prodhohen në atë zonë përgjatë mesditës, kanë arritur të shkëpusin kontaktet me njëri-tjetrin teksa ndodheshin pranë e pranë. Fillimisht deti ka arritur të rrëmbejë njërin prej fëmijëve, ndërkohë, i ati 50-vjeçar dhe djali 15-vjeçar janë përpjekur për të shpëtuar djalin 13-vjeçar, por në ato momente situata është vështirësuar edhe më tepër, pasi kanë rrezikuar të mbyten edhe vetë, pasi e kanë patur të pamundur të dilnin në breg sepse dallgët i kanë rrëmbyer edhe më thellë”, thuhet në njoftim.

Pas kësaj tragjedie dhe rasteve të tjera, kontrolli në plazhe ka vënë në lëvizje autoritetet përgjegjëse në Lezhë.

“Pas paralajmërimeve të bërë gjatë javës që lamë pas, task-forca e turizmit në Bashkinë Lezhë i rikthye në terren së bashku me Agjensinë Rajonalë të Bregdetit”, raporton RTSH.

“Monitorimi nisi nga bregdeti i Tales, ku gjatë ditës së hënë u gjobiten dy subjekte që shfrytëzojnë plazhin, pasi mungonin vrojtuesit dhe kushtet e sigurisë të përcaktuara me ligj”, shkruan ky medium.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë Renaldo Xhanaj thotë se nuk do të ketë tolerime ndaj shkelësve të ligjit, ndërsa në të njëjtën linjë ishte dhe Drejtori i Policisë Bashkiake Leonard Palaj.

“Në bregdetin e Lezhës janë rreth 110 stacione plazhi të cilët shfrytëzohen nga privati, ku pavarësisht përmirësimit të situatës sërish nuk mungojnë problematikat për sa i përket sigurisë”, shkruan në fund RTSH.

/Shqip.com