Lajme Ballkan

Pas takimit me Kurtin në Prishtinë, Lajçaku takohet me Vuçiqin në New York

I dërguari i Posaçëm nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë që pas takimit me Kurtin në Prishtinë javën e kaluar, biseda ka vazhduar në New York me Vuçiqin.

“Pas takimit tim me kryeministrin Kurti në Prishtinë javën e kaluar, kam vazhduar edhe bisedën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në New York sot”, shkroi Lajçak.

Tutje, Lajçak tha se në këtë takim kanë folur edhe për rrugën drejtë normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Ditë më parë Lajçak ka dhënë detaje lidhur me takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak është shprehur së në Prishtinë është diskutuar për dialogun, lirinë e lëvizjes dhe energjinë.

“Në Prishtinë sot vazhdova bisedën e javës së kaluar me kryeministrin @albinkurti në rrugën përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shfrytëzova rastin për të diskutuar çështje aktuale edhe me zëvendëskryeministrin e pare @BislimiBesnik, në veçanti lirinë e lëvizjes dhe energjisë”, ka shkruar Lajçak.

Lexo edhe:

Takimi Kurti-Lajçak, zyra e kryeministrit jep detaje nga takimi

Po ashtu edhe nga zyra e kryeministrisë kanë dhënë detaje lidhur me takimi midis Kurtit dhe Lajçak.

“Gjatë takimit u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve”, thuhet fillimisht në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër./Shqip.com