Pas Sunny Hill, anulohet përkohësisht edhe “Beerfest Kosova”
Pas “Sunny Hill” anulohet përkohësisht edhe festivali “Beerfest Kosova”.
Festivali i cili është paraparë që të mbahet më 24 deri 26 qershor, është anuluar me arsyetimin se nuk po lejohet të mbahet në lokacionin e paraparë.
“Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt pasdite të hënën, me 13 qershor, na u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion”, thuhet në njoftim.
Tutje nga organizatorët thuhet se ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm.
“Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.
Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë”.
Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja./SHQIP.com