Lajme

Pas sulmit terrorist në Veri, reagon Akademia e Shkencave

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK)
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK)

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka thënë se po ndjek me shqetësim ngjarjet e fundit në veri të vendit, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku.

ASHAK ka thënë se i dënojnë “me ndjenjën më të fuqishme të revoltës dhe indinjatës këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës, kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kundër rendit të saj kushtetues”.

“Ne kemi tërhequr vërejtjen me shumë se një herë, se Serbia është kthyer në faktorin kryesor destabilizues të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. “Bota serbe”, versioni ballkanik i “botës ruse”, nga një program nacionalist i institucioneve akademike është kthyer tashmë në kredo politike dhe ideologjike të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrëse të Serbisë. Jemi po ashtu të shqetësuar që një akt terrorist, siç është ky i fundit, synohet të përdoret si pretekst nga qarqe arriviste shqiptare, për të “ridizajnuar” historinë, tashmë të përmbyllur, të themelimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin që ka shpërndarë Kreu i ASHAK, Mehmet KRAJA.

Në fund, Kraja ka thënë se ndihen të prekur nga humbja e jetës së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut.

“Bashkëndjejmë me të afërmit dhe familjen e të ndjerit dhe përulemi para sakrificës dhe ndjenjës së përgjegjësisë të çdo mbrojtësi të rënë për liri dhe sovranitet”, thuhet në postim.

/Shqip.com