Lajme

Pas SHBA-ve edhe Franca kritikon opozitën për çasjen ndaj dialogut me Serbinë

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se marrëveshja e diskutuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, do të mund të ishte një moment historik për të dyja vendet.

“Marrëveshja që u diskutua më 27 shkurt ka potencialin të jetë një moment historik për të dy vendet. Është diçka shumë pozitive dhe në interesin e Kosovës si shtet”, ka thënë ambasadori Francez

Më tutje ai ka dhënë kritika për çasjen e opozitës karshi dialogut me Serbinë.

“Ajo çka pritet, ajo që do të arrihet është diçka shumë pozitive për Kosovën si shtet. Kosova është një demokraci, është në rregull që opozita dhe qeveritë të debatojnë për gjëra të ndryshme, por pikëpamjet tona për marrëveshjen janë në interes të Kosovës, dhe po aq sa ne e inkurajojmë qeverinë që të bëjë lëvizjet që presim prej tyre, për shembull Asociacioni, në të njëjtën mënyrë presim nga opozita ta shikojë këtë çështje me një perspektivë të gjerë, me një perspektivë më të madhe dhe të mbështesë ndikimin e komunitetit ndërkombëtar drejt normalizimit”, tha mes tjerash Guerot.

I pyetur nëse Serbia do ta pranojë një marrëveshje të tillë, Guerot tha se nuk mund ta thotë me siguri një gjë të tillë, por se pa dyshim marrëveshja do të ishte edhe në interesin e Serbisë.

“Shpresojmë që do të ketë një marrëveshje, por nuk më takon mua të them nëse Serbia do ta nënshkruajë apo jo atë, kjo është detyra e ekipit të Lajçakut dhe dy partive që negociojnë”. 

Theksojmë se takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë pritet të zhvillohet këtë muaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com