Lajme

Tajani: Italia dënon aktet e dhunës në Veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, në një konferencë për media me kryeministrin e Shqipërisë, ka thënë se Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë aktet e dhunës në veri të Kosovës.

Tajani ka thënë se ka folur personalisht me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Vucic ku ka kërkuar një zgjidhje paqeje. Ai gjithashtu ka thënë se ka folur edhe me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, rreth mundësisë së një përforcimi të KFOR-it për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja.

“Për sa i përket situatës në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjithë aktet e dhunës. Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Unë fola personalisht me kryeministrin e Kosovës Kurti, me presidentin serb, Vuçiç, i ftova të gjithë për një zgjedhje që të jetë ajo e paqes, dialogut që të ndalojnë çdo veprim. I pohova se Italia është e gatshme dhe fola me ministrin Crosetto që të vlerësojnë hipotezën e një përforcimi të dispozitivit KFOR për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja”, ka thënë Tajani.

Tajani ka thënë se zgjidhjet nuk janë kurrë ato të luftës dhe se duhet gjetur zgjidhje përmes diplomacisë.

“Puna e ushtarëve italianë atje vlerësohet nga të gjithë, ata kanë sjellë paqen dhe vlerësohen si nga Kosova ashtu dhe nga Serbia dhe besoj se Italia, pikërisht për rolin e vet, për aftësinë e vet se di të dialogojë me të gjithë, mund të vazhdojë të luajë rol për të sjellë paqen me një territor shumë të komplikuar, por zgjidhjet nuk janë kurrë ato të luftës. Zgjidhjet janë ato të diplomacisë”, ka shtuar kryediplomati italian.

Tajani ka ritheksuar deklaratën e 19 shtatorit të Josep Borellit për Kosovën dhe Serbinë, edhe pse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar një qëndrim të dytë të BE-së pas sulmit terrorist në Veri, duke thënë se Shqipëria shpreh mospajtim me qëndrimin e 19 shtatorit.

“Ne i ftuam të gjithë që ta shohin veten në deklaratën e presidentit Borrell të 19 shtatorit duke ftuar në të njëjtën kohë të gjithë që të punojmë për paqen dhe të ndalojnë çdo lloj aktiviteti ushtarak dhe dhune në atë rajon sepse dhuna sjell dhunë, kurse dialogu sjell dialog. Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë dhe dhuna nga ana e grupeve ekstremiste të zëvendësohet me diplomaci dhe besoj se është e drejtë që puna e Bashkimit Europian të jetë gjithmonë e më shumë efikase. Italia gjithsesi do të bëjë pjesën e vetë sepse vendosëm që të jemi të pranishëm në Ballkan, jo vetëm për të pasur oportunitete, por dhe për të kërkuar që të zgjidhim, falë aftësive italiane, problemet më të ndërlikuara”, ka përfunduar Tajani.

/Shqip.com