Lajme Ballkan

Pas ndryshimeve në Qeverinë malazeze, si do të ndikojnë marrëdhëniet me Kosovën?

Përfaqësuesi Millojko Spajiq (në mes) me kolegët e partisë në seancën konstituive të Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë, më 27 korrik 2023.
Përfaqësuesi Millojko Spajiq (në mes) me kolegët e partisë në seancën konstituive të Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë, më 27 korrik 2023.

Kuvendi i Malit të Zi, mëngjesin e 31 tetorit, zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq.

Qeveria e re mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, “Lëvizja Evropa Tani”, nga partia proruse “Fronti Demokratik”,  po ashtu nga “Demokratët” dhe “Partia Popullore Socialiste” e nga partitë shqiptare.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 46 deputetë, kundër 19 dhe një abstenoi.

Qeveria e re e Malit të Zi i dha fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e të cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.

Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se “anëtarësimi i plotë” në Bashkimin Evropian (BE), përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale, do të jenë tri nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.

Koalicioni i qendrës “Evropa Tani” fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca proserbe dhe proruse “Për një Mal të Zi më të mirë”, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

Nik Gjeloshaj, ish-kryetar i komunës së Tuzit dhe tash zv.kryeministër në Qeverinë e re të Malit të Zi, ka votuar që Mandiq të bëhet i pari i legjislativit.

Gjeloshaj ka thënë se atij i mjafton që Mali i Zi e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Zv.kryeministër në qeverinë e re të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

“Unë jam këtu për t’i respektuar marrëveshjet dhe mua më mjafton ajo që Mali i Zi do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha shtetet që i ka njohur. Ne jemi marrë vesh me Mandiqin që nëse ai voton qeverinë tonë, ne do të votojmë që ai të bëhet kryetar”, ka shpjeguar Gjeloshaj emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se nëse Kosovës do t’i duhet vota e Malit të Zi, do ta ketë atë.

Gjeloshaj tha se nëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të shprehte dëshirë për vizitë në Mal të Zi, atëherë Mandiq nuk do ta refuzonte.

“Unë mendoj që po, do ta takonte, nëse Konjufca vjen në Mal të Zi, mendoj që duhet të takohet me kryetarin e kuvendit të Malit të Zi”, ka thënë Gjeloshaj.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, redaktorja e Vijesti.me, Biljana Matijaseviq, ka thënë se partitë që formuan Qeverinë e re nuk do të ndryshojnë qasjen karshi Kosovës.

Sipas saj, partitë politike në Mal të Zi kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni, në të cilën, janë angazhuar për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

“Partitë politike kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni, në të cilën, u angazhuan për një orientim të politikës së jashtme të bazuar në përkushtimin e plotë për integrimin dhe një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në BE, qëndrimit në NATO dhe zhvillimin e bashkëpunimit miqësor me të gjitha vendet e njohura nga Mali i Zi”, tha ajo.

E pyetur se nëse Mali i Zi do të tërheqë njohjen e Kosovës, pasi një parti proserbe është pjesë e koalcionit qeverisës, ajo është përgjigjur duke thënë se nuk beson se kjo mund të ndodhë.

“Qeveria nuk do të tërheqë njohjen e Kosovës, sepse për Malin e Zi, kjo është një çështje e mbyllur, veçanërisht në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në BE dhe koalicioni proserb ‘Për Ardhmërinë e Malit të Zi’ për momentin nuk ka hyrë në qeverinë e re, por kanë marrë postin e kryetarit të Kuvendit”, tha ajo.

Tutje, ajo ka thënë se “koalicioni ‘Për Ardhmërinë e Malit të Zi’ nuk do të insistojë në tërheqjen e njohjes së Kosovës, jo sepse kanë ndryshuar politikën e tyre, por sepse presin që përfaqësuesit e tyre të hyjnë në Qeveri brenda një viti, siç parashikohet edhe në marrëveshje. Edhe nëse do ta kërkonin, sipas saj, nuk kanë një shumicë të mjaftueshme për të realizuar një synim të tillë”.

Matijaseviq ka thënë se nuk e beson që do të përkeqësohen raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës, pasi partitë proserbe nuk do të bënin asgjë që mund të rrezikonin hyrjen e tyre në Qeveri pas disa dekadash në opozitë.

Ajo ka thënë se hyrja e partive shqiptare në këtë koalicion qeverisës është e zakonshme, pasi përfaqësojnë komunitetet pakicë që mbrojnë interesat e popullatës pakicë nga pozita e pushtetit.

“Qytetarët e Malit të Zi, duke përfshirë malazezët, serbët, shqiptarët, boshnjakët, myslimanët, kroatët, romët, dëshironin ndryshim dhe ky ndryshim erdhi në zgjedhjet e vitit 2020 kur u zëvendësua partia (DPS) që kishte qenë në pushtet për 30 vjet. Ky ndryshim u konfirmua në zgjedhjet në qershor të këtij viti”, ka shtuar Matijasevic.

Në anën tjetër, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe histori e diplomacisë, Gurakuç Kuçi, për Portalin Dukagjini ka thënë se shqiptarët në Mal të Zi janë bërë garancia që Qeveria e Malit të Zi të mbetet proevropiane.

“Partia e kryeministrit të tanishëm Millojko Spajiq është detyruar të ndryshoje krejtësisht kurs politik dhe nga qëndrime proserbe dhe proruse, tani e detyruar, do të duhet të vazhdojë rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, të mbështesë Kosovën dhe Ukrainën, si dhe të votojë çdo vendim të Bashkimit Evropian kundrejt Rusisë”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, komuniteti shqiptar tani ka një ndikim të përforcuar për të ndikuar në qeverisjen e vendit.

“Përfshirja e tyre në disa posta ministrore kyçe, si Ministria e Ekonomisë, administrata publike dhe ajo e pakicave, paraqet një hapësirë të re për avancimin e nevojave dhe interesave të shqiptarëve. Përveç kësaj, përfshirja në postin e zëvendëskryeministrit jep një rëndësi të veçantë”, vijon ai.

Tutje, ai ka theksuar se partitë shqiptare në qeveri kanë një rol thelbësor në “ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve me vendet fqinje si Kosova dhe Shqipëria”.

Partitë politike, sipas tij, shërbejnë si ndërmjetës të rëndësishëm për të siguruar që bashkëpunimi dhe lidhjet e ngushta mes Malit të Zi dhe këtyre vendeve të qëndrojnë të forta.

“Partitë politike shqiptare kanë një rol të veçantë për të siguruar se veprimet e Malit të Zi janë të përgjegjshme dhe të përcaktuara në mënyrë që të sigurojnë stabilitetin e rajonit, duke ruajtur marrëdhëniet e mira me Kosovën dhe Shqipërinë”, ka përfunduar Kuçi.

Ndryshe, gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

Pasi u zgjodh kryeparlamentar, Mandiq u zotua për punë drejt tejkalimit të ndasive.

Ndërsa, kritikët kanë thënë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do t’i pengojë ambiciet e shtetit për anëtarësim në BE.

/Shqip.com