Lajme

Pas kritikave nga Kurti/Kelmendi mbledh kryeprokurorët: Lëndët të trajtohen me përgjegjësi

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës së Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës së Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë kryeprokurorët, të deleguarit e prokurorive përkatëse dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Siç bëhet e ditur në një njoftim për media, në këtë takim u raportua me radhë nga përfaqësuesit e të gjitha prokurorive për rrjedhat e punës, ku në fokus ishin raportimet për rastet e dhunës në familje dhe rastet e dhunës seksuale në Republikën e Kosovës.

Lidhur me këto raste, bazuar në shifrat zyrtare, kryeprokurorët raportuan për prokuroritë që ata drejtojnë, dhe, me këtë rast, u diskutuan çështjet dhe praktikat që kanë të bëjnë me veprimet procedurale dhe ligjore në trajtimin e rasteve penale, konkretisht atyre të dhunës në familje dhe dhunës seksuale.

“Në këtë kontekst, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, ka dhënë rekomandimet e nevojshme lidhur me vëmendjen që duhet pasur secila prokurori në rrugën që është përpara dhe ka kërkuar zbatimin e përpiktë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, akteve të tjera ligjore dhe nënligjore sa i përket secilit rast, pa dallim, zbatim ky, që ndikon në rritjen e efikasitetit gjatë trajtimit të këtyre rasteve dhe të gjitha rasteve të tjera penale”, thuhet tutje në takim.

Me tëj është bërë e ditur se, pjesë thelbësore e këtij takimi ishte edhe diskutimi për trajtimin adekuat me anë të mekanizmave institucionalë të rasteve me ndjeshmëri të lartë publike, duke reflektuar gjithnjë në të drejtat e viktimave, të drejtat e të pandehurve dhe të drejtat e të miturve në procedurë penale, përfshirë edhe ato të personave me çrregullime mendore.

Po ashtu, në këtë kolegjium u diskutua edhe për Kodin e Ri të Procedurës Penale, rolin dhe kompetencat e secilës instancë të prokurorisë në zbatimin sa më efikas të këtij Kodi.

Në fund, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, kërkoi nga të gjithë që çdo lëndë të trajtohet me përgjegjësi të lartë, të përfaqësohet dhe të mbrohet me dinjitet dhe profesionalizëm pranë secilës instancë gjyqësore./SHQIP.com