Lajme

Pas Forumit të Bledit, Kosova e Serbia rikonfirmojnë pozicionet

Forumi i Bledit
Forumi i Bledit

Në Forumin e Bledit u konfirmuan edhe një herë pozicionet e dy shteteve të cilat së shpejti do t’i rikthehen tavolinës së bisedimeve, pas paralajmërimeve nga BE-ja se në shtator do të ketë intensifikim të dialogut. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në adresimin e tij ka thënë se duhet të ketë pajtim mes shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe u shpreh optimist për anëtarësimin e rajonit më 2030.

Forumi Strategjik i Bledit në Slloveni është bërë të hënën arenë kundërshtimesh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq. Për moszbatim të marrëveshjeve e kanë kritikuar njëri-tjetrin. Derisa Kurti ka deklaruar se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duke e bërë normalizimin të vështirë, Bërnabiq e ka kontestuar shtetësinë e Kosovës. Në panelin ku morën pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut e Bosnjë-Hercegovinës, Kurti tha se Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen e saj as ndaj Kosovës e as ndaj BE-së.

“Nuk e kanë distancuar veten as prej Millosheviqit e as prej Putinit, kështu që nuk është e lehtë për ne. Do t’i normalizoja marrëdhëniet dhe menjëherë do ta bëja këtë, për shembull, nëse fqinja ime do të ishte Republika Çeke, por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë”, tha Kurti.

Kryeministrja Bërnabiq e refuzoi emërtimin Kosovë dhe shtetësinë e saj, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Kurtit.

Edhe në Forumin e Bledit u konfirmuan edhe një herë pozicionet e dy shteteve të cilat së shpejti do t’i rikthehen tavolinës së bisedimeve, pas paralajmërimeve nga BE-ja se në shtator do të rinisë intensifikimi i dialogut. Presidentja e Serbisë, Ana Bërnabiq, foli për marrëveshjet e vitit 2013, duke insistuar në krijimin e asociacionit.

“E ashtuquajtura Republikë e Kosovës nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht, nuk është anëtare e OKB-së. Po qartë dyshoj se do të bëhet pjesë e BE-së, derisa të ketë pesë shtete mosnjohëse. Normalizimi filloi me Marrëveshjen e Brukselit në prill të vitit 2013, pra dhjetë vjet më parë, që ishte marrëveshja e parë mes Beogradit e Prishtinës, dhe që u nënshkrua edhe nga Bashkimi Evropian, nga përfaqësuesi i lartë i BE-së. E vetmja gjë që është dashur të bënte Prishtina ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Gati 11 vjet më vonë, kemi çdo gjë vetëm Asociacionin jo. E z. Kurti thotë se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më. Është marrëveshja e parë e normalizimit, që duhet zbatuar. BE-ja është garantuese për zbatimin e plotë. Po e presim Asociacionin”, ka deklaruar Bërnabiqi.

Kryeministri Kurti megjithatë tha se normalizimi mund të ndodhë, derisa e akuzoi Serbinë se po mban gjallë fantazi e iluzione.

“Mund të ndodhë (v.j. normalizimi), sepse na duhet ta zbatojmë këtë traktatin bazik të cilin presidenti i Serbisë dhe unë jemi dakorduar në Bruksel, porse normalizimi në psikologji do të thotë: mungesa e konfuzionit në mes të realitetit e fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku nuk mund të kontribuoj fatkeqësisht”, ka deklaruar Kurti.

Ai u pyet edhe lidhur me masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës nga moderatori Ali Aslan, gazetar nga Gjermania, të cilit iu përgjigj duke thënë se qeveria ka ndërmarrë masat e kërkuara dhe se situata është dukshëm më e qetë në veri të Kosovës.

“Është e vërtetë që na duhet depërshkallëzimi, na duhet ulja e tensioneve e janë bërë dy muaj që nuk ka protesta apo incidente të dhunshme në komunat në veri të Kosovës. E kemi ulur për herën e dytë për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në objektet komunale dhe mezi i pres zgjedhjet në komunat veriore dhe shpresoj që do të kemi fushatë fer dhe të hapur, me zgjedhje të lira e demokratike”, ka deklaruar Kurti.

Për më tepër, Kurti kujtoi edhe kthimin mbrapa me marrëveshjen e normalizimit që parashihte edhe integrimin e serbëve të veriut në institucionet e sigurisë, në gjyqësor dhe prokurori. Ai aludoi se serbët e veriut e kanë marrë mesazhin se të qenit të integruar në institucione është më mirë.

“Na duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar, por nga ana tjetër mendoj që njerëzit e kuptuan që në Kosovë ata që integrohen jetojnë më mirë. Integrimi është diçka që u sjell dobi qytetarëve e ne si qeveri na takon t’i sigurojmë të drejtat e barabarta për të gjithë”, ka deklaruar ai. Ka shtuar se është esenciale që respektimi i të drejtave të pakicave e njohja reciproke mes shteteve të jenë parakusht i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Takimi me Lajçakun

Pas panelit ku të pranishëm ishin liderët e rajonit, kryeministri Kurti u takua me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me ç’rast kanë diskutuar për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit.

“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të depërshkallëzuar, e cila nuk duhet të ripërshkallëzohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet t’u prijë një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike. Me Lajçakun kryeministri diskutoi edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Ndërsa, për takimin me Kurtin ka shkruar edhe Lajçaku.

Ai tha në rrjetin social X se temë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë për dialog. I dërguari i BE-së paralajmëroi takim në Bruksel gjatë shtatorit.

Takimet bilaterale mes kryeministrave

Kryeministri kosovar u takua të hënën edhe me homologun e tij slloven, Robert Golob, njëherësh nikoqir i Forumit të Sigurisë në Bled.

“Sllovenia ka strehuar disidentët tanë të parë, na ka ndihmuar në betejën tonë çlirimtare dhe tani është ndër pesë investitorët kryesorë në ekonominë tonë, theksoi kryeministri dhe e falënderoi kryeministrin Golob për ndihmën dhe mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën ndër vite”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Në kuadër të temës “Solidaritet për sigurinë globale”, sipas njoftimit, Kurti e Golob diskutuan edhe për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Takime ka pasur edhe me kryeministrin bullgar, Nikollai Denikov.

“Në qershor të këtij viti Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari themeloi selinë e saj në Sofje. Numri i investitorëve bullgarë në Kosovës është rreth 135 me fuqi investuese rreth 6 milionë euro të shtrirë në disa sektorë, si: ai i tregtisë dhe shërbimeve, turizmit, ndërtimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe transportit”, thuhet në komunikatë.

Qeveria ka njoftuar po ashtu se Kurti ka pasur takim edhe me të dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord John Stuard Peach, ku ka diskutuar lidhur me veriun.

“Kryeministri tha se kanë kaluar dy muaj prej incidentit të fundit në këto katër komuna dhe prej atëherë nuk ka pasur protesta të dhunshme, është shtuar numri i punëtorëve në ndërtesat komunale e është ulur proporcionalisht prezenca e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale… E rëndësishme është tani të jemi vigjilentë ndaj ripërshkallëzimit që mund të vijë nga deklaratat dhe veprimet e liderëve shtetërorë serbë”, shkruhet në njoftim.

Kërkesa për heqje vizash për Bosnjë-Hercegovinën

Në darkën e punës së Forumit Strategjik të Bledit, sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti i ka kërkuar Bosnjë-Hercegovinës ta miratojë marrëveshjen e nënshkruar mes 6-s së Ballkanit Perëndimor për lëvizjen e lirë me letërnjoftime më 3 nëntor 2022.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit, ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’u kërkohen viza për në Bosnjë-Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, shkruhet në komunikatën e Qeverisë. Lëvizja e lirë mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnjë-Hercegovinës kishte qenë qëllimi i vetëm i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, meqë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk kanë regjim vizash mes vete. Në Bosnjë-Hercegovinë vazhdimi i procesit të miratimit të kësaj marrëveshjeje është kundërshtuar nga Republika Serbe që këtë çështje e ka lidhur me zhvillimet në veri.

Në forumin e Bledit ka marrë pjesë edhe Borjana Krishto, kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës. Kryesuesja që i takon komunitetit kroat nuk ka reaguar publikisht lidhur me çështjen e vizave pas darkës së punës.

Charles Michel: Anëtarësimi i rajonit në BE më 2030

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në adresimin e tij ka thënë se duhet të ketë pajtim mes shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe u shpreh optimist për anëtarësimin e rajonit më 2030.

“Zgjerimi më nuk është ëndërr, është koha të ecim para, ka shumë punë për të bërë. E di është proces kompleks, nganjëherë i dhimbshëm për shtetet e ardhshme anëtare dhe po ashtu për BE-në. Të jemi të qartë, nëse duhet të jemi kreidibilë, duhet të flasim për afate kohore, duhet të flasim për detyrat tona të shtëpisë, sugjerimet, ndërsa përgatitemi për agjendën e ardhshme strategjike të BE-së. Ne duhet të vendosim synim të qartë, besoj se duhet të jemi të gatshëm të dyja palët deri në vitin 2030 të zgjerohemi”, ka deklaruar ai.

Ndërsa rreth kësaj çështjeje presidenti kroat, Andrej Plenkoviq, tha se s’duhet të ketë ngadalësim apo kushtëzim të integrimit evropian shkaku i problemeve fqinjësore.

“Gjatë debatit joformal sot disa njerëz besonin që është mirë që të gjithë të bëhen pjesë në të njëjtën kohë për t’i shmangur problemet dypalëshe, nuk pajtohem. Mendoj që duhet të mbahet qasja e anëtarësimit në bazë të meritës, sepse vetëm ajo është e drejtë”, ka deklaruar Plenkoviq.

Kryeministri Edi Rama me këtë rast ka deklaruar se Shqipëria i ka kaluar 50 vjet nën komunizmin e Enver Hoxhës dhe mund t’i bëjë edhe 50 vjet pritje, pra deri më 2030, për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tha se shpreson se deri më 2030 të bëhen hapa të mëdhenj.

“Është momenti që duhet të thuhet ndoshta ajo që e tha Charlesi. (Anëtarësimi) do të mund të realizohej në aspektin e asaj që mund të quhen hapa të vërtetë përpara. Jo që besoj se do të jemi në vitin 2030 pjesë e Bashkimit Evropian, por në disa prej hapave kjo do të ishte shumë mirë”, ka deklaruar Rama.

E kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se “nuk kanë plan B pasi shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtetet evropiane.

Ka bërë thirrje që “Ballkani Perëndimor të përfshihet në familjen evropian e BE-ja të marrë vendimin e guximshëm politik për këtë”.

Forumi i Bledit është organizim i përvitshëm i Qeverisë së Sllovenisë dhe organizatës qeveritare “Qendra për perspektivë evropiane”, që mbledh liderë të Ballkanit dhe përfaqësues të lartë të BE-së që nga viti 2006.

Vuçiqi takohet në Beograd me ambasadorin rus, ia konfirmon synimet për ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në takim ambasadorin e Rusisë në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko.

Vuçiqi në postimin në Instagram ka thënë se ka biseduar me ambasadorin rus për çështje rajonale e globale. Po ashtu ka thënë se “është konfirmuar synimi për të vazhduar ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Federatën Ruse”.

Takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus ka ardhur vetëm një javë pasi që presidenti i Serbisë u takua në Athinë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Takim konstruktiv me ambasadorin Bocan-Kharchenko, me të cilin kam biseduar për të gjitha çështjet aktuale rajonale dhe globale. Kemi biseduar edhe për një gamë të gjerë të temave dypalëshe dhe konfirmuam qëllimin tonë për të vazhduar ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Federatën Ruse”, ka shkruar Vuçiqi. /Koha

/Shqip.com