Sport Shqiptar Ky ka qenë stinori i parë i Ligës Unike në kategorinë e femrave, ku kanë marr pjesë skuadrat nga Kosova dhe Shqipëria

Pas fitores historike, Shatri flet për suksesin e Prishtinës

Pas një stinori dramatik, Ligës Unike në kategorinë e femrave i erdhi fundi.

Prishtina rrëmbeu “kurorën” duke shkruar histori, si skuadra e parë që e fiton këtë kompeticion.

Për të arritur këtë sukses skuadra nga kryeqyteti në finalen e madhe mposhti Penzën, pikërisht në “Pallatin e Rinis dhe Sportit”.

Trajneri i Prishtinës, Fidan Shatri, për Shqip.com ka thënë se fakti që Final 4 u zhvillua në Prishtinë ka qenë një motiv shtesë për klubin.

“Pas një suksesi të tillë të gjithë ndihemi të lumtur. Në momentin që kemi aplikuar për ta organizuar Final 4, ka qenë një vullnet dhe dëshirë shtesë që të kemi sukses, pasi të luash në shtëpi është një motiv shtesë që të jesh i suksesshëm. Viti i parë i edicionit të Ligës Unike normal që është më i veçantë”.

Sipas, Shatrit rruga deri në finale ka qenë e vështirë.

“Kanë qenë dy ndeshje shumë të forta, sidomos ndeshja gjysmëfinale kundër Flamurtarit, pasi që e fituam ndeshjen me përmbysje të rezultatit. Ndërsa, finalja ishte një ndeshje shumë e fortë, po vinim nga një ndeshje ku shpenzuam shumë energji gjë që ndikoi në paraqitjen e lojtareve, sidomos në çerekun e fundit. I falënderoj gjithsecilën lojtare për angazhim ne ndeshje, ku ky mund në funde u shpërblye me sukses ne fushë. Ka qenë ndeshja më e fortë deri me tani që kemi zhvilluar kundër Penzës”.

Trajneri për Shqip.com ka treguar rendësin e një lige të përbashkët ndërmjet dy shteteve.

“Ka qenë shumë i mirëseardhur edicioni i përbashkët i Ligës Unike, pasi që kemi pasur shumë ndeshje të forta dhe na ka ndihmuar që ekipi të ngritët në cilësi, gjë që është pozitive. Një përvojë e re për disa nga vajzat që do t’iu shërbej në të ardhmen e afërt.”

Pas triumfit historik tani vëmendja rikthehet te Superliga e Kosovës.

Për Prishtinën qëllimi mbetet i njëjtë, fitimi i një tjetër trofeu për këtë edicion.

“Qëllimet janë të qarta që nga fillimi i edicionit në Superligen e Kosovës, qëllimi kryesor është të fitojmë titullin kampion. Kemi 19 ndeshje, 19 fitore, asnjë humbje do të vazhdojmë të punojmë të jemi gati ne fazën përfundimtare të kampionatit që fillon pas një jave”, tha ai.

Prishtina në Ligën e Kosovës gjenden në vendin e parë me 38 pikë, derisa edhe në Superlig rivalen kryesore e ka Penzën, e cila renditet e dyta./Shqip.com