Sport Ndërkombëtar

Pas dorëheqjes së Mancinit, janë dy kandidatë që mund ta pasojnë

Roberto Mançini i dha fund eksperiencës 5-vjeçare në drejtimin e Italisë, me lajmin që erdhi si rrufë në qiell të hapur për sportdashësit përtej Adriatikut.

Por teksa ish-tekniku duket se ka gati një kontratë 3-vjeçare me Kombëtaren e Arabisë Saudite ku do të përfitojë 18 milionë euro në sezon, te “axurrët” janë duke menduar për zëvendësuesin.

Favoriti kryesor është ish-tekniku i Napolit, Luciano Spalletti. FIGC ka vendosur të fokusohet kryesisht te ai, ndërsa pas dere qëndron edhe Antonio Conte, i cili prej muajsh është i papunë.

Të dy teknikët shihen si shpëtimtarë duke pasur parasysh rëndësinë e rolit dhe nevojën për të ngritur kokën pas dy dështimeve radhazi për t’u kualifikuar në Botëror.

Karizma, përvoja dhe qëndrimi i fortë i karakterizon të dy. Por nëse Spalletti, siç u tha, ka përfituar një avantazh të konsiderueshëm ndaj konkurrentit të tij, FIGC ka së pari një çështje delikate për të zgjidhur dhe ajo është kontrata që ende e lidh trajnerin me Napolin.

Rinovimi që Napoli ushtroi në mënyrë të njëanshme pranverën e kaluar do të thotë se Spalletti është ende nën kontratë deri në qershorin e ardhshëm.

Në këtë rast ose  Spalletti jep dorëheqjen (por dorëheqja mund të refuzohet) ose De Laurentiis duhet ta lirojë atë, duke gjetur një marrëveshje konsensuale.

Ose përsëri është e nevojshme që palët t’i drejtohen Dhomës së Pajtimit për të gjetur një ndërmjetësim. Një problem që FIGC ende shpreson të jetë në gjendje ta përballojë dhe ta zgjidhë me kontributin aktiv të vetë Spallettit dhe De Laurentiis. Sigurisht që Federata nuk ka ndërmend të paguajë para për të liruar trajnerin.

Pas Spallettit, si zgjidhje po aq e mirëpritur qëndron Antonio Conte. Ai i dha fund marrëdhënies së tij me Tottenham dhe ka qenë i lidhur me Interin dhe Juventusin, por pa arritur kurrë negociata reale.

Mbi të gjitha ai tashmë e ka kryer detyrën e trajnerit të “bluve: me rezultate të shkëlqyera përpara se të fillonte aventurën në Premier League. Por për momentin është një hap poshtë rivalit.

/Shqip.com