Lajme

Pas Berishës, Basha do të intervistohet në Prokurori për protestën e 8 janarit

Kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Një ditë pasi ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u intervistua në Prokurorinë e Tiranës, të premten radhën e ka kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, përcjell Shqip.com.

Ata do të merren në pyetje nga hetuesit policorë për protestën e 8 janarit, të thirrur nga Berisha para selisë së PD-së në Tiranë, që u shndërrua në akt dhune.

Basha dhe Bardhi do të pyeten edhe për akuzat se brenda selisë ka pasur persona të armatosur dhe me precedent penalë.

Kurse, 34 të arrestuarit në protestën e së shtunës para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, janë liruar të mërkurën nga Gjykata e Tiranës.

Sipas prokurorit të çështjes, brenda selisë së PD-së pas protestës nuk ishte gjetur asnjë gjë e paligjshme, raporton Top Channel.

Kjo seancë ishte e ndarë në dy pjesë, ku në fillim është zhvilluar për mbështetësit e Sali Berishës, teksa më pas për të arrestuarit që ishin në katin e dytë të selisë.

Ndërkaq, për 29 persona, Prokuroria kërkoi masën “detyrim paraqitje” dhe për disa “arrest shtëpie”, kurse ndër të arrestuarit ka edhe persona të cilët janë nga Kosova.

Ndryshe, të shtunën, selia e PD-së është sulmuar nga mbështetësit e Sali Berishës, duke tentuar kështu thyerjen me forcë të dyerve.

Berisha kishte thirrur këtë protestë duke kërkuar kështu largim e Lulzim Bashës, nga pozita e kryetarit të PD-së./SHQIP.com