Lajme

Pas ankesave të bizneseve – Qeveria pritet që të ndryshojë vendimin për moseksportimin e produkteve bazë(FOTO)

Eksportues i miellit të misrit

Qeveria e Kosovës pesë muaj më parë me anë të një vendimi ka kërkuar që të ndalohen përkohësisht për eksport disa nga produktet themelore agro-ushqimore.

Në mbledhjen e 69 të qeverisë, kryeministri Albin Kurti pati thënë se ky vendim po merret në një situatë kur është vështirësuar zinxhiri i furnizimit, i ndikuar nga invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë.

Ndërsa tashmë sipas një burimi të SHQIP.com në mbledhjen që do të mbahet sot pritet që të shqyrtohet propozim vendimi për shfuqizimin e këtij vendimi.

“Shqyrtimi i propozimi-vendimit për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë nr.09/69 për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore të datës 13 prill 2022(MINT).

Ndryshe, përfaqësuesit e biznesit në Kosovë këtë vendim e kanë quajtur të stërzgjatur, duke kërkuar nga qeveria Kurti të rishikohet kjo masë.

SHQIP.com ditë me parë ka intervistuar qytetarin nga Mitrovica, Mexhit Hasani, të cilit i kanë mbetur pesë tonë miell në hapësirën e punës për shkak të këtij vendimi.

Eksportues i miellit të misrit

Eksporti i planifikuar nga Mitrovica drejt Gjermanisë me 29 gusht nuk u realizua.

“Ka vështirësi sepse klienti e ka llogarit që i shkon mallin, e ka pas kërkesën edhe ai nga klienti. Unë ndoshta për me demostru kjo është për Gjemani është etiketuar, paketuar e përgatitur për këtë kompani në Gjermani. Por, çka të bësh duhet më prit përgjigje por nuk është mall që pret ky mundet edhe me u dëmtu”, tha Mexhid Hasani, eksportues i miellit të misrit.

Për ta kryer eksportin, ai tregon se ka marrë 50 për qind të pagesës para se të merrej vendimi.

Në këtë biznes ai punon bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët.

Ndërsa, në kohën e sezonit ka angazhuar pesë punëtorë të tjerë.

“Një sasi është pesë tonë miell misri ose diku 19 tonë tranguj, po është i lidhur malli dhe pagesa është bërë 50 për qind e pagesës, mallin unë duhet me dërgu dhe jemi në pozicion të pa lakmueshëm. Kjo ka afat psh kur ruhet në depo të posaqme tetë muaj, por në këto kushte që unë i posedoj nuk besoj që mundet me shku gjatë”, tha tuje Hasani.

Këtë vendim Qeveria e mori me 13 prill 2022./SHQIP.com