Lajme

Pas Abdixhikut edhe Krasniqi pritet të udhëtoj në SHBA dhe Bruksel

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pritet të udhëtoj në vizitë zyrtare në Bruksel dhe SHBA.

Burime të SHQIP.com bëjnë të ditur se Krasniqi pritet të udhëtoi javën e ardhshme.

Kjo ftesë vjen pas asaj që i është bërë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili pritet të udhëtoi gjatë nëntorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Sipas burimeve të Shqip.com brenda LDK-së, bëhet me dije se Abdixhiku është ftuar që ta realizojë këtë vizitë nga vetë shteti amerikan.

Lexo edhe:
Konfirmohet ftesa e ShBA-ve ndaj Abdixhikut

Kjo do të jetë vizita e parë e Abdixhikut në ShBA në cilësinë e kryetarit të LDK-së.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyera nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat.

ShBA ka kërkuar që afati për ri-regjistrimin e automjeteve me targa te lëshuara nga autoritete e Serbisë të shtyhet për dhjetë muaj.

Në të njëjtën linjë me ShBA-të ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian.

BE ka thënë se Kosova ka të drejtë të kërkojë ndërrimin e targave por kjo duhej të bëhej brenda një afati prej 12 muajsh ndërsa, vendimin e ri  të Qeverisë së Kosovës e quan si në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Të marten ka filluar masa e qortimit për shoferët e automjeteve me targa ilegale që qarkullojnë në Kosovë. Kjo masë do të vazhdojë deri me 21 nëntor për të vazhduar pastaj me shqiptimin e gjobave.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se pas 21 janarit do të bëhen targa testuese dhe regjistrimi i automjeteve me targa RKS do të jetë më i lehtë deri me 31 mars – Pas kësaj date mund të bëhet regjistrimi por pa lehtësime.

Kurse, 21 prilli shënon datën përfundimtare kur që lejon qarkullimin e targave ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

/Shqip.com