Lajme Botë

Ç’është festa fetare e Rrëshajëve dhe si kremtohet ajo?

Festa fetare e Rrëshajëve
Festa fetare e Rrëshajëve

Rrëshajët, një festë e rëndësishme për të krishterët, kujton zbritjen e Shpirit të Shenjtë mbi apostujt e Krishtit pas ringjalljes së tij.

Rrëshajët janë një festë e mirëpritur. Jo vetëm të dielën, por edhe të hënën nuk punohet. Shumë e shfrytëzojnë këtë ditë për një pushim të shkurtër, apo takime me miqtë. Kafenetë dhe trenat janë plot.

Nga ana tjetër festa e Rrëshajëve, është më shumë se kaq. Kjo festë është pas Krishlindjeve dhe Pashkëve njëra nga tri festat më të rëndësishme në kalendarin kishtar. “Rrëshajët janë festa e shpirtit të Shenjtë, që mbush dhe lidh të gjithë besimtarët në botë”, shkruhet në faqen e kishës protestante gjermane. Rrëshajët janë një festë ndërkombëtare dhe multikulturore e kishës, shkruan katholisch.de.

Pamje nga një festë në një kishë në Hamburg

Origjina e Rrëshajëve në Bibël

Në vende të ndryshme Rrëshajët kanë emra të ndryshëm. Por fjala Pentecoste, që përdoret në disa gjuhë për Rrëshajët, tregon se për çfarë bëhet fjalë. Për një ngjarje, që ka ndodhur në ditën e 50 (greqisht pentecoste) pas festës hebraike të Pesahut, në ditën e falenderimeve, Shavout. Në këtë ditë feste, kur rrugët ishin plot, dishepujt e Jezu Krishtit ishin mbledhur në një shtëpi në Jerusalem. Zbritja e Shpirtit të Shenjtë 50 ditë pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit përmendet në tri vende në Bibël. Në kapitullin e dytë të veprës të Apostujve thuhet:

“Papritmas u ndje një ushtimë nga qielli si shungullimë e një stuhie të fortë dhe mbushi gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Nga lart ranë gjuhë si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë dhe zunë vend mbi secilin prej tyre. Dhe ata të gjithë u mbushën me Shpirtin e Shenjtë dhe filluan të flasin gjuhë të ndryshme.”

Para 2000 vjetësh në Jerusalem kishte shumë të huaj nga Roma, Kreta, nga Mesopotamia apo Egjipti dhe të gjithë flisnin gjuhët e tyre. Ata u bënë papritur dëshmitarë të një ngjarjeje të habitshme, se dëgjonin dishepujt e Krishtit të flisnin papritur në gjuhët e tyre amtare. Nga kjo mrekulli i Rrëshajëve njerëz të kombeve të tjera mundën të kuptonin predikimet e apostujve. Dishepujt e Jezu Krishtit u shpërdanë pastaj në vende të ndryshme për të përhapur fjalën e tij.

“Rrëshajet janë mrekullia e të kuptuarit, që e kapërcen kufirin. Që nga ai moment grupi i dishepujve e pa veten si popull i Zotit”, shkruan portali katholisch.de.

“Për këtë arsye Rrëshajët quhen edhe festa e „krijimit të kishës”, thekson në faqen e saj kisha protestante gjermane. Kjo festë kremton Shpirtin e Shenjtë, që zbriti mbi dishepujt e Jezu Krishtit dhe u dha atyre guximin dhe dhuntinë, për të përhapur fjalën e tij në botë”.

Rrëshajët quhen edhe festa e „krijimit të kishës”

Traditat e vjetra të festimit të Rrëshajëve?

Kishat në Gjermani i festojnë Rrëshajët me më pak mesha solemne se sa Krishtlindjet dhe Pashkët. Për Rrëshajë ata organizojnë shpesh festa dhe procesione nën qiell të hapur.

Si festë pranverore Rrëshajët kanë të bëjnë me zgjimin e natyrës. Një nga zakonet e bukura, që praktikohen në Bavari, është shëtitja me kuaj të stolisuar nëpër fusha dhe livadhe. Një prift bekon fushat dhe tokën dhe lutet së bashku me besimtarët për të korra të mbara dhe prodhim të bollshëm.

Në rajonin e Mecklenburgut është i njohur bualli i Rrëshajëve. Në zonat rurale buajt zbukurohen dhe stolisen me lule.

Dikur festat e Rrëshjeve shërbenin për të lidhur të rinjtë. Vajzat e reja vinin në kokë një kurorë me trëndafilat e Rrëshajëve (Paeonia). Në qendër të festës vihej pema e majit apo pema e Rrëshajeve e stolisur me shirita shumëngjyrësh.

Kur janë Rrëshajët?

Data e Rrëshajëve është e lëvizshme. Ajo varet nga data e Pashkëve, e cila varet nga kalendari hënor. Rrëshajët bien 50 ditë pas Pashkëve, shpjegon kisha protestante gjermane në faqen e saj. Me këtë shpjegohet edhe fjala në greqisht „Pentecoste”, e pesëdhjeta ditë pas vdekjes së Krishtit. /DW

/Shqip.com