Sport Shqiptar

Partizani e Tirana do t’i zhvillojnë ndeshjet evropiane në “Air Albania”

Partizani dhe Tirana do t’i luajnë në stadiumin “Air Albania” ndeshjet e tyre eliminatore në kompeticionet evropiane, raportojnë mediat shqiptare.

Dy klubet e kryeqytetit kanë njoftuar edhe UEFA-n në lidhje me vendimin e tyre për të zhvilluar takimet në impiantin më modern dhe me kapacitetin më të madh në Shqipëri.

Partizani peshkoi në short bjellorusët e Bate Borisov, me të cilët do të përballet në eliminatoret e Champions League, në stadiumin “Air Albania” me shumë gjasa më 11 korrik.

Kjo pasi në të njëjtin impiant, dy ditë më vonë, Tirana do të presë gjeorgjianët e Dinamo Batumit, në turin e parë eliminator të Conference League.

Të dy skuadrat do të kenë mundësinë të mbushin shkallët e stadiumit, në mënyrë që të përfitojnë maksimalisht nga mbështetja e tifozëve, për të vijuar sa më gjatë aventurën evropiane.

/Shqip.com