Lajme

Partitë në veri bëhen bashkë, Sadiku: Të mobilizohemi sa Lista Serbe

Skender Sadiku - bartësi i listës së partive politike joserbe në Veri të Mitrovicës

Bartësi i listës së koalicionit të partive politike në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku, thotë se arritja e kësaj marrëveshje është një lajm i mirë, transmeton Shqip.com.

Sadiku tha se arritja e këtij koalicioni u bë e mundur pas një pune intensive pesë-gjashtë mujore.

“Pas një pune intensive diku pesë-gjashtë mujore kemi arritur një marrëveshje që të garojmë të gjithë së bashku. Pos komunitetit shqiptarë dhe boshnjakë kemi edhe komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian – por kemi menduar që t’i kemi edhe dy vende të rezervuara për komunitetin serb”, tha ai për Klan Kosova.

“Ideja e këtij koalicioni është që definitivisht të jemi të bashkuar për qytetarin e Mitrovicës dhe t’ju japim një ofertë që të ndryshojnë gjërat pozitivisht për ta dhe qytetin e Mitrovicës së Veriut”, u shpreh Sadiku.

Mes tjerash, Sadiku tha se me këtë koalicion, partitë politike po synojnë të mobilizohen sa Lista Serbe.

“Lista Serbe është vetëm një subjekt dhe i ka të përmbledhur të gjithë votuesit serbë dhe kjo është një luftë që duhet që të arrijmë të mobilizohemi ashtu”, tha Sadiku.

Një mobilizim i tillë po tentohet të arrihet edhe në komunën e Artanës.

Dhjetë përfaqësues të pesë partive shqiptare në Artanë janë takuar gjatë muajit korrik për ta shqyrtuar opsionin që të kandidojnë me një kandidat të përbashkët për kryetar.

Kjo me qëllim që të rrëzohet kryetari serb, Svetislav Ivanoviq, dhe këtë komunë ta drejtojë një kryetar shqiptar. /Shqip.com