Lajme

Partitë në pritje të PDK-së për t’u bërë bashkë në garë për Graçanicën

Ilustrim

Partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë bashkuar në garën për kryetar të Graçanicës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Ndërsa, janë në pritje të përgjigjes nga Partia Demokratike e Kosovës, që t’i bashkohet kësaj nisme.

LVV-ja, LDK-ja dhe AAK-ja do të garojnë me listë të përbashkët, prijës i së cilës do të jetë një kandidat i partisë e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Nënkryetari do jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Emrat e tyre s’janë zyrtarizuar akoma. Një gjë e tillë pritet të bëhet të hënën e 16 gushtit.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Gazetën Online Shqip.com, Leotrim Ajeti, përfaqësues i LVV-në në Graçanicë.

Ai tha se PDK-së i kanë bërë një ofertë, por nuk kanë arritur marrëveshje pasi “kanë kërkuar disa pozita ekzekutive”.

Megjithatë, pohoi se janë në pritje të përgjigjes pozitive nga ta, “ndonëse nuk kanë dhënë sinjale pozitive deri tani”.

“Kemi arritur marrëveshje me LDK-në dhe AAK-në për listë të përbashkët. Jemi në pritje të përgjigjes nga PDK-ja, meqë ende nuk kanë treguar nëse do t’i bashkohen kësaj nisme. Ne i kemi bërë një ofertë, por ata kanë kërkuar disa pozita ekzekutive për të cilat nuk jemi pajtuar. Presim përgjigje pozitive nga ta, ndonëse nuk kanë dhënë sinjale pozitive deri tani”, deklaroi Ajeti.

Ai shtoi se të hënën edhe do të zyrtarizohen emrat e të gjithë kandidatëve për asamble komunale.

Arritjen e marrëveshjes mes partive shqiptare e ka konfirmuar për gazetën edhe Granit Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Po jemi në përfundim të marrëveshjes. Jemi duke pritur edhe PDK-në. Paraprakisht me VV-në dhe AAK-në jemi marrë vesh”.

Gashi theksoi se në këto zgjedhje do ta zgjerojnë listën për komunitetin ashkali që jetojnë në këtë komunë.

Ndërsa, sa i përket PDK-së, tha se “do ta presim deri në momentin e fundit”.

Por, në rast se marrin përgjigje negative, deklaroi se do të vazhdojnë me iniciativën “sepse primare është interesi i shqiptarëve në Graçanicë”.

“Jemi takuar me të gjitha partitë. Jemi takuar edhe me disa oponentë të PDK-së, tani jemi në pritje të përgjigjes. Jemi marrë vesh që kandidati të jetë nga VV-ja, ndërsa nënkryetari nga LDK-ja”, tha Gashi.

Por, nga Partia Demokratik e Kosovës thonë se nuk janë takuar me përfaqësues të VV-së.

Fehmi Arifi nga PDK-ja, tha se janë pro bashkëpunimit, por kanë disa kushte, të cilat njëherë nuk pranoi t’i bëjë të ditura.

“Nuk kam pasur takim me VV-në. Një i LDK-së më ka njoftuar, por takim s’kemi pasur. Ne jemi pro bashkëpunimit, por i kemi disa kushte. Duhet të takohemi me strukturat e partisë, me Kryesinë dhe të marrim një vendim”, tha Arifi.

Graçanica është komunë e vendosur në rrethin e Prishtinës në Kosovën Qendrore. Ka mbi 10 mijë banorë, shumica prej të cilëve janë serbë. Kryetar aktual i saj është Sërxhan Popoviq./SHQIP.com