Lajme

Parregullsi në qendrat e votimit – Policia deri tani ka trajtuar 21 raportime

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës njofton se deri pasditen e kësaj të diele, ka trajtuar 21 raportime të qytetarëve që kanë të bëjnë me parregullsi në procesin zgjedhor.

Sipas njoftimit, një raportim lidhet me ndërhyrje në votim, pesë për fotografim të votimit, një për fjalosje në një qendër të votimit, shtatë raste të grumbullimit të personave në afërsi të qendrave të votimit, dy raste të blerjes së votës, nga një kanosje dhe bezdisje e qytetarëve, po ashtu një rast i falsifikimit të dokumentit të bexhit.

Po ashtu, policia njofton se një raportim është bërë për një person të dehur në qendër të votimit si dhe një mosmarrëveshje në një qendër të votimit.

“Nga këto 21 informacione të trajtuara, me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri (raste) prej tyre, (1) rast në Junik – Pejë “ Pengim i procesit të votimit” ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, (1) rast po ashtu në Junik – Pejë “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe (1) rast në Vushtrri “Falsifikim i dokumentit”, i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Qytetarët e 21 komunave janë duke votuar të dielën në raudin e dytë të zgjedhjeve lokale, për ta zgjedhur kryetarin e katër viteve të ardhshme. /Shqip.com