Lajme

Parlamenti Studentor organizon marsh kundër Asociacionit

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përmes një njoftimi, kanë thënë se të mërkurën e 15 shkurtit është përvjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, e me këtë rast, ata kanë bërë të ditur se do të organizojnë një marsh kundër Asociacionit.

Sipas tyre, Asociacioni është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se cenon stabilitetin e paqen në vendin tonë.

“Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim ftohen të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë marsh të organizuar për 15 shkurt.

“Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT. Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor.

/Shqip.com