Lajme

Parlamenti Studentor kundër vendosjes së emigrantëve afganë në konvikte, institucionet heshtin

Qendra e Studentëve

Ndonëse jozyrtarisht, Qendra e Studentëve në Prishtinë është përmendur si një nga lokacionet ku pritet të bëhet strehimi i refugjatëve afganë që pritet të vijnë në Kosovë ditëve në vijim.

Por, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë kundërshtuar mundësinë që QS-ja të shndërrohet në kamp për refugjatët.

Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, në një prononcim me shkrim për Gazetën Online Shqip.com tha se një gjë e tillë “është e pakuptimtë dhe dëmton rëndë interesin e studentëve të UP-së”.

Ai theksoi se nuk janë kundër pranimit të refugjatëve afganë në Kosovë, por shtoi se strehimi i tyre s’mund të bëhet në një vend që është ekskluzivisht i krijuar vetëm për studentët.

Sipas tij, një veprim i tillë bie ndesh me Statutin e Qendrës së Studentëve, cenon të drejtat legjitime të studentëve dhe mbi të gjitha hedh poshtë edhe vetë emërtimin e këtij institucioni.

“Tani gati 30 ditë para fillimit të vitit të ri akademik, ne po i mohojmë të drejtën e banimit/ushqimit të rreth 4.000 studentëve, e në qoftë se vendoset 1 student për 1 dhomë, ne po i lëmë në rrugë rreth 1.400 studentë, po i ngarkojmë 1.400 familje kosovare”.

Azizi shton se në Kosovë ka vende dhe qendra të tjera ku refugjatët mund të vendosen.

“Prandaj, ne ende nuk e dimë se kush i jep këto ide që dëmtojnë mijëra studentë. Nuk duhet dhe nuk bën të ndodhin eksperimente të tilla që dëmtojnë të ardhmen e kësaj republike”.

Për këtë çështje tha se nuk janë kontaktuar nga asnjë prej institucioneve përkatëse, por janë informuar nga mediat.

Sipas tij, kjo shpreh shqetësim në “mosrespektimin e institucioneve ndërshtetërore, saktësisht hierarkisë institucionale”.

“Nuk e kemi pranuar as edhe një informacion nga institucionet përkatëse për këtë gjë dhe kjo nuk është hera e parë që organi më i lartë i studentëve po anashkalohet”.

I pyetur nëse merret një vendim i tillë, cilat do të jenë hapat që do të ndërmarrin, Azizi u shpreh se janë në përgatitje të hapave të radhës.

Ai deklaroi se në qoftë se deri në fund të kësaj jave nuk ka njoftim zyrtar, atëherë do të detyrohen që “të mbrojmë interesat e studentëve nëpërmjet mjeteve të tjera demokratike”.

I kontaktuar nga gazeta, drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha se ende s’kanë asnjë informacion zyrtar, por “çdo vendim i Qeverisë së Kosovës është i respektueshëm për ne”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ata në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por asnjë nga ta nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndryshe, Afganistani është bërë kryelajm i mediave botërore, kjo për faktin se talibanët kanë marrë nën kontroll kryeqytetin – Kabulin.

E kjo bëri që shumë diplomatë dhe punonjës të ambasadave të huaja të fillojnë procesin e evakuimit, nga frika se mund ta pësojnë me jetë.

Një pjesë e tyre pritet t’i pranojë Kosova, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deri tani qeveria nuk ka dhënë detaje për numrin e afganëve që do vijnë, kohën kur do të zbresin në Kosovë dhe ku do të qëndrojnë në këtë periudhë tranzitore./SHQIP.com