Lajme

Parandalohet një rast i kontrabandimit në veri, ndalohen pesë persona

Policia Kufitare në veri të Kosovës kanë parandaluar një rast të kontrabandës në veri të Kosovës përkatësisht në malet e fshatit Bistricë.

“Më 24 shkurt 2023 rreth orës 03:00, njësitë policore të NjNSh-së, derisa ishin në vëzhgim dhe kontrollim të terrenin në brezin kufitar – Jarinje e Poshtme, kanë vërejtur lëvizje (drita të automjetit) të dyshimta në atë zonë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lidhur me rastin janë ndaluar pesë persona të cilët dyshohen se përmes rrugëve ilegale kanë tentuar që ta fusin një automjet të ngarkuar me rimorkio duke iu ikur obligimeve doganore.

“Policia menjëherë ka organizuar një plan taktik me qëllim të ndaljes së atij automjeti. Kështu, në malet e fshatit Bistricë, ka arritur të ndalojë pesë persona të cilët dyshohet se kishin hyrë në territorin e vendit përmes rrugëve ilegale. Ata janë hasur duke tentuar të fusin në vendin tonë një automjet, të ngarkuar në një rimorkio, duke i ikur obligimeve doganore”.

Tutje, thuhet se rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare Veriu në koordinim me organet e drejtësisë dhe doganën.

/Shqip.com