Lajme

Parandalohet kontrabandim i barnave dhe migrim ilegal në Kosovë

Policia e Kosovës ka parandaluar kontrabandimin e disa pakove me barna të llojeve të ndryshme si dhe ka parandaluar kalimin ilegal të kufirit nga katër shtetas të huaj.

Sipas PK-së, dy rastet janë të ndara por tek rasti i parë i dyshuari drejtonte një makinë me targa serbe

“Pas pranimit të informacioneve njësitë patrulluese kompetente kanë ndërmarrë veprime për ndalim të mjetit të dyshuar me ç’rast kanë vendosur një pikë kontrolli vëzhguese, ku si rezultat është arritur që të ndalohet automjeti i dyshuar, me targa serbe, i cili kishte hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale. Gjatë kontrollimit të veturës janë gjetur gjithsej 676 pako me barna të llojeve të ndryshme”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Automjeti së bashku me mallin janë sekuestruar ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ndërsa, tek rasti i dytë, në pikën kufitare në Han të Elezit janë identifikuar katër shtetasit e huaj të fshehur në rimorkion e një kamioni me targa maqedonase.

“Po ashtu me datë 25.10.2022, në kuadër të parandalimit të aktiviteteve kriminale dhe dukurive të tjera negative që bien ndesh me ligjin, Policia e Kosovës, respektivisht njësia policore në pike kalimin kufitar – Hani i Elezit kanë identifikuar 4 shtetas të huaj të cilët janë gjetur të fshehur në rimorkion e një kamioni me targa të Maqedonisë së Veriut”.

Drejtuesi i automjetit ishte shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me udhëzimin e të cilit janë duke vazhduar procedurat hetimore.

/Shqip.com