Lajme

Paralajmërojnë ekonomistët: Deri në 60 mijë persona mund ta lëshojnë vendin, do të mungojnë profesionistët

Kosovën do ta lëshojnë deri në fund të vitit nga 50 deri 60 mijë persona, po vlerësojnë ekspertët ekonomisë.

Në rast të liberalizimit të vizave, Musa Limani thotë që Kosova do të zbrazet.

“Normalisht se do të ketë gjasë, ky numër do të rritet edhe më tepër për arsye se nuk ka gjasa që të kemi ndonjë zhvillim intensiv dhe me rastin e liberalizimit të vizave do të zbrazet Kosova. Vetëm edhe një të dhënë, në vitin e kaluar me sa kam informacion, Kosovën e kanë lëshuar 400 mjek”, thotë Limani.

Edhe Lavdim Hamidi është shprehur se ikja e qytetarëve do të vazhdojë e kjo për shkak të kushteve të këqija.

“Unë e kam përcjell këtë rast të ikjeve 2013 dhe 2015, ka pas më së shumti. Diku kanë ikur rreth 100 mijë veta, po kryesisht njerëz që nuk kanë pasur punë. Tash më e keqja që po ikin njerëz me diploma të fakultetit dhe kjo është problemi më i madh për Kosovën. Besoj se nëse vitin e kaluar kanë marrë 34 mijë viza gjermane. Këtë vit do të jetë shumë më shumë, gati 50 mijë ose 60 mijë që do të ikin dhe kështu Kosova do të mbetet pa kuadro profesionale”, është shprehur Hamidi.

Disa ditë më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë vlerësimin e popullsisë për vitin 2021.

Sipas të dhënave vjetore të ASK-së del se vitin e kaluar (2021), kanë emigruar 42 728 persona.

ASK-ja njofton se pjesa dërmuese e emigrantëve ishin legal.

“Arsyeja e emigrimit legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërnguljes së përhershme (kryesisht në shtetet fqinje), studime afatgjata me punësim”, thuhet në raport.

Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së një numër i kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Turqi, Kanada dhe vende tjera./Shqip.com