Lajme

Paralajmërohet rritje e çmimeve të perimeve, shkak dyfishimi i kostos së prodhimtarisë

Perimet në treg

Këtë vit pritet që të rritet çmimi i perimeve në tregun kosovar, kjo pasi që çmimi i farës ka përjetuar rritje prej 50%.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve, Tahir Tahiri, ka thënë për Shqip.com se kostoja e prodhimtarisë është dyfishuar këtë vit.

“Kriza që ka kapluar vendin ka ndikuar në rritjen e çmimeve të farës së perimeve. Ka një rritje rreth 50% të çmimit të farës e cila do të ndikoj edhe në rritjen e çmimeve të perimeve në treg”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu ka treguar se këtë vit është rritur edhe çmimi i plehut artificial dhe sipas tij e gjithë kjo po ndikon në rendimentet e kulturave bujqësore.

“Çmimet e plehrave janë jashtëzakonisht të larta. Vitin e kaluar një thes pleh artificial ka kushtuar tetë euro ndërsa tash kushton 24 euro, gjithashtu edhe plehrat azotik nga tetë euro kanë shkuar në 25 euro. Është shumë e dëmshme pasi që kjo po ndikon dhe të rendimentet e kulturave bujqësore”, ka thënë Tahiri.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve, Tahir Tahiri

Tahiri ka theksuar se gjendja e dobët ekonomike e bujqve, ka shtyrë ata që të përdorin sasinë jo adekuate për prodhime dhe të marrin një sasi më të vogël ku ndikon që rendimentet bujqësore të bien.

Ai tutje ka shtuar se për këtë arsye përfitimet janë shumë të vogla dhe disa mund të shkojnë edhe më humbje./Shqip.com