Lajme

Paralajmërimi i avokatit serb: Beogradi i kapur nga Rusia, zjarri në Ballkan është afër!

“Rusia po synon të ndezë një luftë në Ballkan, dhe këtë mund ta bëjë përmes Serbisë”. Avokati serb Çedomir Stojkoviç është shprehur se Serbia është kapur nga Rusia, e cila e përdor për interesat e veta politike. I ftuar në një studio televizive, Stojkoviç tha se mjafton vetëm një shkëndijë për t’u ndezur zjarri në Ballkan dhe sipas tij, Rusia mund ta bëjë këtë përmes Serbisë.

Nga ana tjetër, avokati tha se Serbia me mbështetjen e Rusisë, po kërkon të ndikojë në Malin e Zi, ku po përpiqen të krijojnë sa më shumë hapsira politike.

“Askush nuk e njihte influencën ruse më parë në Serbi, por tani liderët botërorë po thonë atë që kam thënë unë shumë vite më parë. Shqetësimet janë shumë të vërteta, pasi Rusia ka depërtuar në Kishën Serbe, e ka pushtuar atë, ka depërtuar në partitë politike, si te ato në pushtet, ashtu edhe te ato në opozitë. Ka kryer akte korrupsioni të mëdha në Serbi. Monumentet më të rëndësishme të Serbisë, po bëhen me anë të Rusisë, e cila fut njerëzit e saj në çdo sektor. Ajo kontrollon mendjet dhe zemrat e njerëzve. Është shumë e thjeshtë për të kontrolluar mediat dhe institucionet, nëse kontrollon mendjet e njerëzve. Mjafton një shkëndijë për t’u ndezur zjarri në Ballkan“, tha avokati serb.

Stojkoviç tha gjithashtu se Serbia po bën në Malin e Zi atë që Rusia po bën në Serbi. Ai tha më tej se Vuçiç dhe partnerët e tij duan të kenë hapësira politike atje, duke shtuar se Serbia ka mbështetjen e plotë të Rusisë.

“Po të marrim shembullin e Lindjes së Mesme, u deshën disa idiotë që të bënin pak rrëmujë që të niste konflikti. Lufta në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme… Rusia do të jetë shumë e lumtur të bëjë të njëjtat gjëra që po bën Amerika në Lindjen e Mesme, duke dërguar luftë-anije. Unë e di se nëse Rusia ka ndërmend të kryejë diçka të rëndësishme, asaj nuk i interesojnë jetët e njeriut. Serbia po bën në Malin e Zi atë që Rusia po bën në Serbi. Vuçiç dhe partnerët e tij duan të kenë hapësira politike atje. Por edhe në këtë rast Serbia ka mbështetjen e fuqishme të Federatës Ruse”, u shpreh Stojkoviç.

Kujtojmë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ditën e djeshme ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Sipas tij, konflikti në Lindjen e Mesme është e gjitha skenar dhe pas këtij fronti të ri, duket se do të tentohet destabilizoi në Ballkan. Zelensky tha se Rusia është e interesuar që ndihma e vendeve perëndimore të shkojë në shumë drejtime, duke krijuar vatra konflikti.

“Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë. Kur doni të ndihmoni një vend ose filloni ta ndani atë ndihmë dhe vëmendje për shumë vende, pastaj ka shumë sfida, shumë sfida humanitare. Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi për të treguar se ka diçka që nuk shkon atje gjatë zgjedhjeve. Të shpallen zgjedhjet jokushtetuese. Të rrëzohet sërish qeveria aktuale. Të rrëzohet qeveria pro-evropiane“, ka thënë Zelensky.

/Shqip.com