Lajme Botë

Paralajmërim për cunami në disa shtete pas një shpërthimi gjigant

Foto: NOAA

Paralajmërimet për cunami janë lëshuar në disa vende, përfshirë Tongën, Fixhin dhe Zelandën e Re, pas një shpërthimi gjigant vullkani nënujor.

Pamjet e mediave sociale nga Tonga treguan dallgët duke larë një kishë dhe disa shtëpi. Dëshmitarët thanë se hiri po bie mbi kryeqytetin, Nuku’alofa.

Banorëve atje u është kërkuar që të lëvizin në zona më të larta, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.

Është i fundit në një seri shpërthimesh të vullkanit Hunga Tonga-Hunga Haʻapai.

Shpërthimi tetë-minutësh ishte aq i dhunshëm sa mund të dëgjohej si “tinguj bubullimash të forta” në Fixhi, më shumë se 800 km (500 milje) larg, thanë zyrtarët në kryeqytetin Suva.

Shtyllat e gazit, tymit dhe hirit që derdheshin nga vullkani arritën 20 km (12 milje) në qiell, thanë Shërbimet Gjeologjike të Tonga.

Kryeqyteti i Tongës shtrihet vetëm 65 km në veri të Hunga Tonga-Hunga Ha’apai. Sipas Byrosë Australiane të Meteorologjisë, aty u vu re një valë cunami prej 1.2 metrash.

Në Zelandën e Re, e cila është më shumë se 2,300 km larg, zyrtarët kanë paralajmëruar për valë stuhie nga shpërthimi.

Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Emergjencave tha se disa pjesë të vendit mund të shohin “rryma të forta dhe të pazakonta dhe valë të paparashikueshme në breg”./SHQIP.com