Lajme

Paraburgim për zëvendësdrejtorin që dyshohet se sulmoi seksualisht një nxënëse

Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zëvendësdrejtorit të gjimnazit, “Hamdi Berisha” në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse të kësaj shkolle.

Në njoftim bëhet e ditur se, Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit seksual.

Sipas kërkesës, “rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë”, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.

Gjimnazi “Hamdi Berisha” në Malishevë

Ndryshe, për këtë rast, kanë protestuar gjatë së mërkurës nxënësit e gjimnazit “Hamdi Berisha”.

Oborri dhe hapësirat brenda kësaj shkolle janë mbushur me pankarta kundër ngacmimeve seksuale.

Ky rast që dyshohet se ka ndodhur më 16 dhjetor, në polici është raportuar nga babai i viktimës katër ditë më vonë.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në ambientet e shkollës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur në njërën prej tualeteve të kësaj shkolle kur viktima ishte brenda dhe aty kishte hyrë edhe i dyshuari dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën”, ka thënë Nysret Xhurkaj, zëdhënës i PK-së për rajonin e Gjakovës.

Lidhur me ketë rast është intervistuar viktima, i dyshuari si dhe disa dëshmitarë./SHQIP.com