Para takimit në Bruksel, Bislimi diskuton me diplomatin gjerman
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, para takimit të tij për dialogun Kosovë-Serbe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel, njofton Shqip.com.
Në këtë takim me Berger, është diskutuar për negociatat Prishtinë-Beograd, për çka sekretari i shtetit në diplomacinë gjermane tha se është e rëndësishme që marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve duhet t’i kthehen normalitetit sa më parë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Berger shtoi se përparimi në dialog është në interes të të dyja shteteve.
“Ishte kënaqësi ta takoja zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin me të cilin biseduam për dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. E rëndësishme është tani që të dyja palët të qetësojnë situatën dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt. Përparimi në dialog është në interes të të dyja shteteve si Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Berger në Twitter.
Great to meet 🇽🇰 Deputy PM Besnik Bislimi @BislimiBesnik today about 🇪🇺-facilitated Kosovo-Serbia dialogue & excellent bilateral relations. Important now for both sides to deescalate & return to the negotiating table asap. Progress in dialogue is in the interest of both 🇽🇰 & 🇷🇸! pic.twitter.com/JsXWDD6mYo
— Miguel Berger (@MiguelBergerAA) September 28, 2021
Takimi në Bruksel mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë vjen pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës që kur u vendos masa e reciprocitetit të targave serbe nga Qeveria e Kosovës.
SHBA dhe BE kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhjen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Në këtë raund të takimeve ëstë paralajmëruar të marrë pjesë edhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar, i cili po ashtu do të jetë i përfshirë në përpjekjet e përbashkëta me BE-në për të bindur palët që të gjejnë zgjidhje. /Shqip.com