Sport Shqiptar

Para ndeshjes me Lirinë, Ferizaj merr një vendim të rëndësishëm

Ferizaj të dielën do ta zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme këtë sezon. Skuadra e trajnerit Andrej Panadic do të përballet me Lirinë në finalen e barazhit për një biletë në Superligë.

E duke parë rëndësinë e kësaj ndeshje, ferizajasit do t’i futin futbollistët në karantinë në mënyrë që të jenë sa më të fokusuar për ndeshje e të dielës.

Ferizaj dhe Liria do të zhvillohet të dielën në stadiumin ‘Zahir Pajaztiti’ në Podujevë me fillim nga ora 15:00.

Njoftimi i plotë nga FC Ferizaj:

Ju njoftojmë se skuadra jonë nga mëngjesi i ditës së nesërme do të futet në karantinë deri ditën e zhvillimit të ndeshjes së barazhit kundër Lirisë së Prizrenit.

Do të udhëtojmë në një lokacion jashtë Ferizajt, në mënyrë që fokusi i lojtarëve të jetë i përqendruar 100% në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.

Me këtë rast, kërkojmë mirëkuptimin e gazetarëve dhe mediave që të respektojnë këtë vendim të klubit dhe të evitojnë kontaktet me lojtarët tonë.

Media të nderuara, ju njoftojmë po ashtu se FC Ferizaj mbetet e hapur që të bashkëpunoj me ju dhe se komunikimin do ta zhvillojmë përmes Zyrës për Informim, konkretisht zëdhënësit të klubit.

Për fund, faleminderit për punën e palodhshme dhe kontributin e juaj në ngritjen e cilësisë së futbollit në Kosovë.

FC Ferizaj

/Shqip.com