Lajme

Paqartësitë rreth anëtarësimit të tri komunave veriore, Asociacioni i Komunave del me një tjetër deklaratë

Veriu i Kosovës / Ilustrim
Veriu i Kosovës / Ilustrim

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar sërish lidhur me çështjen e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Në një postim në Facebook, AKK ka ri-shpërndarë një deklaratë të ish-kryetarit të Leposaviqit, Nenad Radosavleviq, njëherit edhe ish-nënkryetar i AKK-së.

Sipas AKK-së, Nenad Radosaveloviq, në një postim të tij, ka treguar rreth procesit të anëtarësimi të Komunave Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan në Asociacion të Komunave.

“Një ditë pasi kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e njëjta gjë është bërë edhe në Zveçan. Asociacioni i Komunave në Kosovë është formuar në vitin 2001 dhe në të janë anëtarë të gjitha komunat e veriut të Kosovës. Unë si kryetar i komunës së Leposaviqit kam qenë nënkryetar i asaj shoqate, ndërsa kryetar ka qenë Lutfi Haziri, atëherë kryetar i komunës së Gjilanit”, kishte deklaruar Radosaveloviq.

Çështja e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok në Asociacionin e Komunave të Kosovës, së fundmi ka nxitur reagime.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj akuzoi AKK-në se tash e shtatë muaj po refuzon që të shqyrtojë kërkesën e këtyre komunave për anëtarësim.

Lidhur me këto akuza drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një prononcim për Telegrafin, gjatë ditës së djeshme ka thënë se këto komuna vazhdojnë të jenë pjesë e AKK dhe se të njëjtat nuk janë tërhequr zyrtarisht.

“Nuk janë tërheq nga AKK dhe këshilli i kryetarëve nuk mundet me pranu diçka që nuk është tërheq, ata janë anëtarë tonë. Ata zyrtarisht nuk janë tërhequr”, tha Ibrahimi.

/Shqip.com