Lajme

Pandemia, zgjedhjet, vrasje e tensione në Veri – ngjarjet kryesore që karakterizuan 2021-ën në Kosovë

Sheshi i Prishtinës.

Zgjedhjet qendrore, zgjedhjet lokale, pandemia, dialogu, helmimi e vrasja janë disa nga ngjarjet që kanë ngritur tensione në Kosovë gjatë vitit që kemi lënë pas.

Shqip.com, në vazhdim ju sjellë ngjarjet që konsiderohen të jenë sinonim i vitit 2021.

Përzgjedhja e “të zotëve të shtëpisë”

Gjykata Kushtetuese në fund të dhjetorit të 2020-ës pati marrë një vendim e përmes të cilit kishte konstatuar se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese dhe kësisoj vendi shkoi në zgjedhje të reja parlamentare.

Ky vendim, reflektori që në fillim të janarit parlamenti të shpërndahet dhe kësisoj, më 14 shkurt, Kosova mbajti zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat lëvizja Vetëvendosje doli fituese me mbi 50 për qind të votave.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës më 22 mars. Ndërkaq, më 4 prill parlamenti i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme zgjodhi për presidente Vjosa Osmanin nga Lista Guxo.

Kurti dhe Osmani, i cilësuan zgjedhjet një referendum.

“Rruga përpara është e gjatë. Do të kemi pengesa dhe do të bëjmë ndonjë gabim. Por, qëllimin e kemi të mirë e fisnik dhe unë çdoherë do të jem i hapur me ju dhe përherë do të argumentojmë dhe arsyetojmë secilin vendim”, deklaroi Kurti.

“Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët, kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësinë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”, deklaroi Osmani.

Zgjedhjet lokale

Tetë muaj pas zgjedhjeve qendrore, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e rregullta lokale. Më 17 tetor qytetarët e 17 komunave zgjodhën udhëheqësit e tyre për katër vitet e ardhshme, ndërsa të 21 komunave të tjera në balotazhin e 14 nëntorit.

Në këto zgjedhje, Lista Serbe fitoi në 10 komuna të banuara me shumicë serbe, ndërsa nga partitë shqiptare më së shumti komuna ka fituar Partia Demokratike e Kosovës – gjithsejtë nëntë.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës me shtatë, përfshirë kryeqytetin të cilin e fitoi pas dy mandatesh në opozitë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pesë dhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka pushtetin qendror, arriti të fitojë në vetëm katër komuna.

Dialogu Kosovë-Serbi

Tre muaj pas zgjedhjes së Kurtit në krye të qeverisë, ai bëri një vizitë në Bruksel më 15 qersor ku u takua për herë të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të bisedimeve të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në tryezën e bisedimeve, pala kosovare kishte hedhur katër propozime kur njëra ndër to ishte nënshkrimi i deklaratës së paqes ku të dyja shtetet do zotoheshin që të mos sulmonin njëra-tjetrën.

 “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojmë, paqes e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”, kishte deklaruar Kurti para mediave nga Brukseli.

E kjo kërkese, nuk ishte pranuar nga pala serbe.

Vuçiq kishte deklaruar se Kurti  “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”.

Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit u mbajt më 19 korrik, por që nuk pati progres.

Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Me 1 shkurt në një ceremoni virtuale, ministrja e Jashtme e Kosovës në atë kohë, Meliza Haradinaj – Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi, nënshkruan në marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dyja vendeve.

Më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Në muajin mars Kosova hapi ambasadën në Jerusalem, duke u bërë vendi i tretë që hapi misionin e saj diplomatik në atë qytet.

Tensionet në Veri për targat

Derisa gushti ishte muaj i qetë, pa ndonjë zhvillim që vlen të përmendet – pasoi shtatori si muaj i tensioneve mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve serbë që jetojnë në veri të vendit.

Mëngjesin e 20 shtatorit, njësitet speciale të PK-së u vendosën në veri pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit për reciprocitetin e targave të automjeteve me Serbinë, respektivisht autoritetet njoftuan se nga 15 shtatori targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës janë ato me denominimin ‘RKS’.

Për të kundërshtuar këtë vendim të Qeverisë së Kosovë, qytetarët serbë u grumbulluan afër pikave kufitare në veri, duke i bllokuar rrugët me kamionë si shenjë proteste.

Disa ditë më vonë, Policia e Kosovës kishte nisur një operacion në shkallë të gjerë për sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara në disa qytete.

Nga kjo protestë, dhjetë pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një pjesëtar i komunitetit serb mbetën të plagosur gjatë një përplasjeje mes policisë dhe grupeve të protestuesve serbë në veriun e Kosovës.

Policia tha se operacioni u zhvillua pa ndonjë problem në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës së Jugut, ndërsa ajo hasi në rezistencë në Mitrovicën e Veriut dhe në komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.

Më 30 shtator në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat mes dy shteteve.

Me arritjen e kësaj marrëveshje, njësitet speciale të Policisë së Kosovës u larguan nga veriu e bashkë me ta edhe kamionët që kishin bllokuar rrugët, ndërsa nga 4 tetori, ka filluar përdorimi i stikerave/afisheve në vetura. Miratohet rezoluta me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë

Më 7 korrik, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi i vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës. Pro rezolutës së iniciuar nga deputetët boshnjakë të koalicionit “Vakat”, votuan 89 deputetë, kurse deputetët e Listës serbe e braktisën seancën.

Në rezolutë “dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjes së motiveve të krimeve të kryera”.

Helmimi masiv në Deçan

Pesë ditë më vonë, një ngjarje e rëndë goditi Deçanin. 13 korriku është dita kur kjo komunë shpalli gjendje emergjente pasi rreth 1 mijë e 500 qytetarë atje kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të helmimit që dyshohet të jetë shkaktuar nga uji i pijes.

Akoma nuk është e qartë se çka e shkaktoi këtë helmim masiv, megjithatë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), pati njoftuar se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Aksidenti në Kroaci

Korriku ishte muaj i kobshëm për vendin, pasi me datë 25 të këtij muaji dhjetë kosovarë humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u lënduan pasi autobusi me të cilin ishin nisur nga Gjermania për në vendlindje, u aksidentua në Sllavonski Brod të Kroacisë. Sipas autoriteteve kroate, aksidenti u shkaktua për shkak të lodhjes së shoferit dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt. Për të nderuar viktimat, në Kosovë e hëna – një ditë pas aksidentit – shpalli ditë zie.

Vrasja e trefishtë në Deçan

Tre muaj pas helmimit masiv, Deçani u godit nga një tragjedi që tronditi tërë vendin. Më 26 nëntor, një shofer autobusi dhe dy nxënës të shkollës së mesme humbën jetën, ndërsa një tjetër u plagos në fshatin Gllogjan të kësaj komune si pasojë e të shtënave në drejtim të tyre derisa ndodheshin në autobus.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, derisa tre të dyshuar janë arrestuar dhe të njëjtit ndodhen në paraburgim.

Marrëveshja Kosovë-Danimarkë për qelitë e burgut

300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës, ku të burgosurit e këtij shteti do të vuajnë dënimin në Kosovë. Kjo marrëveshje u nënshkrua më 20 dhjetor në Prishtinë nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu me anë të një – siҫ u tha – “letër qëllimi”.

Ministri Hakkerup tha se shteti i tij ka kërkuar ndihmë edhe nga vende të tjera për sistemimin e të burgosurve, por Kosova, sipas tij, ishte e para që ka ofruar ndihmë.

Marrëveshje e cila pritet të zbatohet nga viti 2023 do të zgjasë për 10 vite, ndërsa Kosova pritet të fitojë 210 milionë euro.

Pandemia

Muaji mars ishte periudha ku Kosova shënoi një numër të lartë infektimesh dhe vdekje nga Coronavirusi.

Vetëm brenda këtij muaji, ishin regjistruar 21 mijë infektime dhe 273 viktima.

Kosova mori 24 mijë vaksinat kundër COVID-19, të Astra Zenecas përmes programit Covax. Duke qenë shteti i fundit në Evropën juglidore që ka nisuar procesin e vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë, arriti një marrëveshje me kompaninë Pfizer/BioNTech për blerjen e mbi 1 milionë 200 mijë e dozave të vaksinave.

Në fillim të shtatorit, Shtetet e Bashkuara i dhuruan Kosovës mbi 503 mijë doza të vaksinës Pfizer, që ishin pjesë e një blerjeje prej gjysmë miliardi të vaksinës Pfizer të siguruar nga presidenti Joe Biden, në fillim të verës.

Kosova deri në muajin dhjetor, ka vaksinuar më shumë se 60 për qind të popullsisë mbi moshën 18 vjeçe. Ndërsa, muajt e fundit është shënuar rënie e interesimit për t’u vaksinuar.

Gjithashtu, në vend ka filluar vaksinimi edhe me dozën përforcuese.

Ndërkaq, pak javë para fundit të muajit dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK),  konfirmuan rastet e para të infektimeve me variantin Omicron të Coronavirusit. Sipas IKSHPK-së, brenda 24 orëve, ishin detektuar, nëntë raste me Omicron.

Miratohet buxheti për vitin 2022

Më 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin e vitit 2022 prej 2 miliardë e 748 milionë eurove. Miratimi u bë në një seancë të jashtëzakonshme, me 65 vota pro, ndërsa u kundërshtua nga opozita. Në lexim të dytë buxhetit iu shtuan mbi 80 amendamente.

Kriza energjetike dhe reduktimet e rrymës

Qytetarët në Kosovë, nga 22 dhjetori përballen me reduktime të energjisë elektrike. Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

Fillimisht, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) njoftoi se reduktimet do të zgjasin nga dy orë në ditë dhe se do t’i prekin të gjithë konsumatorët – përveç atyre emergjentë. Megjithatë, ka pasur ankesa nga qytetarët se kanë mbetur pa energji elektrike për orë të tëra.

Si pasojë e kësaj gjendjeje, Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor ka miratuar vendimin e Qeverisë të datës 24 dhjetor për gjendje emergjente që do të zgjasë 60 ditë.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme të furnizimit me energji ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të rrymës në treg dhe rritjes së madhe të konsumit gjatë sezonit të dimrit./SHQIP.com