Lajme

Palmeri në “Forumin e Prespës”: Kosovës duhet t’i hiqen vizat

Zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer

Zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, në “Forumin e Prespës” që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën, njofton Shqip.com.

Ai ka thënë se është jetike që BE-ja ta mbështesë Ballkanin Perëndimor dhe të liberalizojë vizat për Kosovën.

“Është jetike që BE të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq”, është shprehur Palmer në fjalën e tij.

Palmer ka thënë se duhet ushtruar presion te liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor që të realizojnë potencialet e tyre.

Në forum po marrin pjesë edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Tema e diskutimit është “Ballkani Perëndimor, Puzzle i munguar për plotësimin e Evropës” dhe përqendrohet në nëntë pika, përfshirë rolin e BE-së në botë, demokracinë evropiane, vlerat, të drejtat, sundimin e ligjit, sigurinë, migrimin, ndryshimin e klimës, mjedisin dhe shëndetin./Shqip.com