Lajme

Pajisjet e FSK-së të dielën ekspozohen për qytetarë

Forca e Sigurisë së Kosovës

Qytetarët e Kosovës të dielën mund të shohin nga afër një pjesë të njësive, pajisjeve dhe automjeteve të ushtrisë së vendit. Për herë të parë në Kosovë po organizohet dita promovuese e ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 23”.

Çdo gjë është gati për fillimin e ushtrimit që udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

Ceremonia zyrtare do të fillojë në orën 11:00, ndërsa Ejup Maqedonci, oficer me përgjegjësi primare për ushtrimin “Defender 23”, tregon se nga 13:40 do të hapet për qytetarë.

Në këtë ceremoni do të performojë edhe bendi muzikor i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Të dielën do të jetë dita kur Forca e Sigurisë së Kosovës do të prezantojë një pjesë të njësive të saj, pajisjeve dhe automjeteve në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Përveç Forcës së Sigurisë së Kosovës aty do të jenë edhe njësitë partnere që marrin pjesë në Kosovë kështu që do të kenë mundësi të shihen edhe njësitë pjesëmarrëse nga vendet e ndryshme, që do të jenë pjesë e ‘Defender Europe 23’. Do të kemi gjithashtu prezencë të ushtarakëve amerikanë që do të vijnë të na vizitojnë. Është për t’u theksuar që gjatë ushtrimit ‘Defender Europe 23’ do të kemi diku 5 oficerë të lartë, pra gjeneralë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të vizitojnë aktivitetet tona trajnuese”, thotë ai për KosovaPress.

Kosova ka qenë nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2021, por sivjet Forca do të ketë pjesëmarrje më të madhe, me mbi 1300 pjesëtarë.

Ndërsa, janë mbi 300 pjesëtarë të njësive partnere që do të zbarkojnë bashkë me FSK-në në Babaj të Bokës të Gjakovës – vendi ku do të zhvillohet ushtrimi nga data 21 maj deri më 2 qershor.

Gjatë këtij ushtrimi do të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së, atij të regjimentit të parë.

Babaj i Bokës dhe Aeroporti i Gjakovës janë lokacionet ku do zbarkojnë ushtarakët. Gjithashtu, do të ketë njësi të FSK-së që do të zbarkojnë në vende të tjera, në kuadër të këtij ushtrimi, siç është Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kroacia.

Pjesë e “Defender Europe 23” janë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa ushtarakë.

/Shqip.com