Lajme

Padia në SPAK/ GJKKO rrëzon Gazment Bardhin, nuk nis hetimet ndaj Lindita Nikollës

GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e SPAK për mosnisjen e hetimeve ndaj kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla pas padisë së Gazment Bardhit.

Kreu i grupit parlamentar të PD kishte kallëzuar në SPAK kryetaren e Parlamentit për shpërdorim detyre.

Kallëzimi i Bardhit rreth një muaj më parë nga Lindita Nikollës kishte të bënte me pretendimin se Nikolla kishte lejuar brenda sallës së Parlamentit punonjës të gardës të armatosur.

Në atë kohë reagoi vetë Garda duke e mohuar kategorikisht mbajtjen e armëve nga ana e Gardës brenda parlamentit.

Njoftimi i Gjykatës

  1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit penal të shtetasit Gazmend Bardhi, me cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të bërë ndaj shtetases Lindita Nikolli me cilësinë e Kryetares se Kuvendit të Shqipërisë, ka regjistruar kallëzimin penale Nr. 245 të vitit 2023, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  2. Pas vlerësimit të kallëzimit penal të sipërcituar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 22.11.2023 vendosi: “1. Mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin penal Nr. 245 të vitit 2023. 2. Vendimi t’u njoftohet të interesuarve. 3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i vendimit.”.
  3. Vendimi i mësipërm është ankimuar në Gjykatë nga kallëzuesi më datë 11.12.2023. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore në respektim të nenit 291 pika 3 të K.Pr.Penale. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 75/a, 112, 290 dhe 291 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenin 248 të Kodit Penal, me vendimin Nr. 496, datë 22.12.2023, vendosi:
  4. Lënien në fuqi të vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë “Për mosfillimin e procedimit penal që i përket kallëzimit Nr. 245 datë 08.11.2023”, datë 22.11.2023.
  5. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen ankuesit.
  6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

/Shqip.com