Lajme

Pacolli pret hapa konkretë nga Osmani rreth njohjes nga shteti afrikan

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka folur rreth për çështjen e njohjes së paralajmëruar ditë më parë nga një shtet afrikan.

Pacolli, thotë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbledhur kryeministrin, Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministren e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për të diskutuar për njohjen nga një shtet afrikan.

“Për hirë të transparencës ju informoj se delegacioni i lartë nga ai shtet ishte në Kosovë, i ftuan krerët e shtetit që të vizitojnë këtë shtet për të nënshkruar mardhënjet diplomatike dhe tani hapat konkret priten nga krerët e institucioneve tona”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Pacolli thotë se për tu finalizuar njohja, tani priten hapa konkret pas takimit mes Osmanit, Kurtit, Konjufcës dhe Gërvallës.

“Presidentja paska mbledhur krerët për koordinim dhe kjo është punë e mirë. Shpresoj që do t’i shohim rezultatet”, ka shkruar ish-ministri i MPJ-së.

Pacolli, në fund të muajit dhjetor të 2021, kishte paralajmëruar njohje të Pavarësisë së Kosovës nga një shtet, i cili vjen nga kontinenti i Afrikës.

Pacolli nuk kishte përmendur emrin e këtij shteti, por ka thënë se për këtë gjë e ka njoftuar kryeministrin e Albin Kurti.

Sipas tij, presidenti i shtetit afrikan ka shprehur gatishmërinë për ta vizituar Kosovën, në mënyrë që të fromalizohet njohja./Shqip.com