Lajme

Pa vaksinë s’ka argëtim

Foto e ilustruar

Një masë e re pritet të hyjë në fuqi nga 20 gushti në Kosovë, ku çdo qytetar që nuk paraqet dëshmi të vaksinimit mund t’iu ndalohet hyrja në qendra tregtare, ahengje familjare dhe nëpër restaurante, transmeton Shqip.com.

Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit dhe Shoqatës së Gastronomëve, për këtë masë, e cila është diskutuar edhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pritet të vendoset së shpejti.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ende nuk ka vendim për ndonjë masë të tillë.

Por, nëse një masë, e cila dëshmon vaksinimin për të qenë pjesë e aktiviteteve shoqërore, merret, atëherë identifikimi i atyre që janë vaksinuar dhe atyre që nuk e kanë bërë këtë, është i lehtë sepse çdo i vaksinuar merr kartelën e vaksinimit dhe ka edhe QR kodin që identifikon statusin rreth vaksinimit, raporton REL.

“MSH-ja ka përditësuar udhëzuesit e përkohshëm për masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtja nga COVID-19 ku përfshihet edhe sektori i gastronomisë dhe sipas këtyre udhëzuesve, organet mbikëqyrëse, sikurse edhe menaxherët e këtyre veprimtarive janë te obliguar qe t’i zbatojnë masat anti-COVID-19, kuptohet nëse masa te tilla do të ndërmerren”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

kjo masë, sipas Arian Vraincës nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, do ta shpëtonte këtë sektor nga mbyllja dhe sipas tij, është e vetmja zgjidhje për të mos pasur humbje ekonomike, të cilat nuk mund të mbulohen nga shteti.

Për zbatimin e kësaj mase, atëherë kur ajo të hyjë në fuqi, do të përkujdesej vetë sektori privat, në rastin konkret ai i gastronomisë, pasi që sipas gastronomëve, institucionet publike nuk do të mund ta bënin një gjë të tillë.

“Do të përcaktohet një menaxher i cili do të lihet në pjesën e jashtme të hapësirës dhe do të bëjë kontrollin e të gjithë atyre që dëshirojnë të hyjnë në lokal. Të gjithë, para se të funten në lokal, duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit, së paku njërën dozë”, thotë Vrainca. /Shqip.com