Lajme Në aneks kontratën e përpiluar nga noteria dhe nënshkruar nga pronarët e vjetër dhe të rijnë, nuk ka deklaratë dhe as nënshkrim të Krenar Alidemës, i cili në kontratën bazë ishte bashkëpronar i lokalit me Bekim Malokun

Pa nënshkrimin e pronarit, noterja lejoi tjetërsimin e lokalit prej 250 mijë euro në Prishtinë

Ilustrim

Ky lokal në lagjen Ulpiana të Prishtinës përbën rast konkret të tjetërsimit të pronës private.

Madje, krejt kjo haptazi dhe nëpërmjet dokumenteve.

Deri më 15 shkurt të këtij viti, ky lokal në vlerë të 500 mijë eurove, ishte bashkëpronësi e Bekim Malokut dhe Krenar Alidemës.

Por, me këtë datë pa dijeninë e Alidemës, pjesa e tij i kaloi një personi tjetër, Agim Spahiut.

Gjithë kjo, u bë përmes një ankes kontrate të përpiluar nga noterja, Valbona Murtezi Bytyqi, të nënshkruar nga pronarët e vjetër, Lulzim dhe Aida Qerkini, Maloku si bashkëpronar, dhe Spahiu si pronar në vend të Alidemës.

Megjithëse, bazuar në kontratën e 21 dhjetor 2020, Alidema kishte blerë lokalin me Malokun, emri i tij nuk figuron fare si palë në aneks.

Për këtë, ai pretendon se prona iu shit pa vullnetin e tij, pasi thotë se as nuk ishte në dijeni se i ishte larguar e drejta për të qenë pronar.

“E kom thirr Aida Qerkinin është pronarja që na ka shit lokalin d.m.th Lulzim dhe Aida Qerkini. E kom thirr, unë pagesën  e kom kryer një vit më herët, edhe e pyeta i thash a e ka kryer Bekim Maloku pagesën e lokalit? Tha jo nuk e ka kryer, po tha as lokali nuk është më i joti sepse na ia kemi bartë Agimit. Thash po qysh e keni bartë pa qenë unë prezent hiç? Tha qashtu na ka thënë noteria dhe e kemi nënshkruar, na ka thënë noteria që ju jeni marrë vesh”, thotë Alidema.

Në aneks kontratën e përpiluar nga noterja Murtezi Bytyqi dhe nënshkruar nga palët e tjera, thuhet se palët deklarojnë se Alidema ishte pajtuar për shitjen.

Megjithatë, në asnjërën pjesën nuk ka deklaratë të tij e as nënshkrim.

Kjo sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi përbën shkelje nga noteria.

Eksperti Gzim Shala thotë se kalimi i pronësisë së një personi pa nënshkrimin e tij përbën edhe vepër penale.

“Është parim i drejtësisë që askush nuk mund t’i bartë të drejtat e dikujt tjetër, për këtë arsye në asnjë rast nuk mundet që në njëfarë forme të supozohet pëlqimi i një personi të caktuar nëse i njëjti nuk e jep pëlqimin e tij për bartjen e pronësisë”, sqaron Shala.

Për këtë, Alidema ka parashtruar edhe kallëzim penal pranë Policisë së Kosovës ndaj noteres, Malokut, Spahiut dhe pronarit Qerkini.

“Të vetmin moment kur kom kontaktuar me noteren është kur i kam dërguar e-mail, të cilit nuk i është përgjigj deri në momentin që ka reaguar zotëri Gjinolli, sekretar i odës. Edhe më e kom pa që ajo nuk ka vullnet me bisedu sepse ajo ish dashtë automatikisht me më tregu mu që e ka bërë një veprim të tillë, të paktën me të kërku falje ose diçka, e ka pas e-mailin tim. Nuk ka reaguar, atëherë ju kom drejtu policisë dhe prokurorisë”, thotë Alidema.

Lexo edhe:
Noterja vërteton tjetërsimin e pronës në vlerë të 250 mijë euro

Për këtë, Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje nga noterja Murtezi Bytyqi përmes emailit, por nuk u është përgjigjur.

E njëjta ka refuzuar të flas edhe kur ekipi i Shqip.com i është paraqitur në zyrën e saj.

Avokati i angazhuar nga Murtezi Byqyti, Florim Shefqeti, thotë se noteria nuk ka bërë asnjë shkelje, ani se nuk jep sqarime pse Alidema nuk është palë nënshkruese.

“Ne kemi dokumente, të njëjtat ua kemi përcjell organeve kompetente dhe gjithsesi që do të bëhen publike edhe për mediumet kur t’i vjen koha, sepse tani nuk është koha. Unë ju thash që nuk dua të deklarohet për ato sepse nuk janë për media”, tha Shefqeti

Tutje, Shefqeti thotë se aneks kontrata ka pasur kushtin që lokali të kaloj në pronësi të Spahiut vetëm pasi t’i bëhet pagesa prej 250 mijë euro Alidemës.

Por, sërish edhe kjo pa vullnetin e tij.

Shefqeti: Aneks kontrata ka qenë një dokument ju thash që është përpiluar në kuptimin e kontratës me kusht, nëse e merrni dhe lexoni me kujdes aty shkruan që kushti paraprak është që t’i bëhet kthimi i shumës së mjeteve të paguara nga ana e Krenarit.

Gazetarja: A ka dashtë Krenari me ju kthy mjetet dhe me e shit pronën?

Shefqeti: Po ka dashtë, janë procedurat në të cilat do të vërtetohet se ai ka dashtë.

Gazetarja: Cilat procedura?

Shefqeti: Procedurat gjyqësore dhe ligjore.

Gazetarja: Mirë, por ku e ka thënë ai vullnetin e tij ku e ka shpreh në çfarë dokumenti e ka shpreh vullnetin e tij që nuk po dëshiron me e mbajt pronën?

Shefqeti: Lidhur me këtë ne jemi deklaruar në disa institucione kompetente dhe gjithsesi jemi  duke u deklaruar edhe tutje sipas kërkesave dhe ftesave të tyre”.

Alidema mohon deri në këto momente të ketë pranuar para nga Spahiu, dhe nëse ato do t’i dërgohen thotë se do t’i kthej mbrapsht.

“Jo nuk është bartë asnjë cent dhe realisht as nuk jam i interesuar me mu bartë ndonjë pjesë e mjeteve sepse unë nuk kam dashtë me e shit lokalin e as nuk jam tu dashtë. Unë lokalin kom me kërku me e nda në dy pjesë nëse vec vazhdohet kështu, unë do ta ndaj lokalin, pjesën temë do ta marrë do ta ndaj me mur, do ta lus gjykatën me më leju me nda”./SHQIP.com