Lajme

Osmani: Vuçiqi refuzon ta zbatojë dakordimin, presioni duhet të bie mbi Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur lidhur me dakordimin e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përmes një adresimi për media, Osmani thotë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk do t’i zbatojë nenet e marrëveshjes së Ohrit, madje duke bërë thirrje që Kuvendi i tyre shtetëror që të mosvotojë.

Krahas kësaj, Osmani thotë se i gjithë presioni ndërkombëtar duhet të bie mbi Serbinë.

“Në momentin që Serbia del dhe tregon se nuk do t’i zbatojë asnjërën nga këto duke kërkuar edhe vulosje nga Kuvendi i saj që të moszbatohen atë për të cilën është dakorduar në Ohër e Bruksel, e rrezikon në esencë këtë marrëveshje apo këtë dakordim. I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që t’i respektojë obligimet e marra. Nënshkrimi nuk është domosdoshmërish i nevojshëm që ta bëjë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Ta kemi të çartë se Traktati i Vjenës kërkon një gjë e ajo është dakordimi apo pajtimi i thënë në mënyrë të çartë nga të dyja palët”, tha Osmani.

Ndërsa, për Vuçiqin Osmani thotë se menjëherë pas marrëveshjes njoftoi komunitetin ndërkombëtar që nuk do t’i zbatojë obligimet.

“Serbia, akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, një lloj siç ndodhi në shkurt, e përsëriti të njëjtin veprime dhe në mars. Tregoi se premtimet që i ka dhënë në kuadër të dialogut, nuk kanë asnjë vlerë për të. As politike e as juridike dhe rrjedhimisht njoftoi komunitetin ndërkombëtar që ai nuk do t’i zbatojë obligimet që dalin nga marrëveshja bazë dhe nga Aneksi”.

Tutje, Osmani tha se pavarësisht asaj që u dakordua në Ohër, teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet.

/Shqip.com