Lajme

Osmani: Vizat nuk duhet të mbesin peng i asnjë teknikaliteti

Presidentja e Kosovës ka pritur në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni Sergio Souza Pinto.

Siç ka njoftuar zyra e presidentes, Osmani ka thënë se hyrja në fuqi e liberalizimin e vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.

“Sipas Presidentes Osmani, Komisioni Evropian, ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Prandaj, sipas Presidentes Osmani vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente dhe hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Në këtë takim, Osmani ka folur për rëndësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidentja më tej në takim më delegacionin portugez ka folur edhe për rëndësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas saj, anëtarësimi në këtë organizatë avancon liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, ajo ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e deritashme”.

Në takim, u shfaq gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja parlamenteve.

/Shqip.com