Lajme

Osmani uron Zelenskyn në Ditën e Pavarësisë, thotë se Kosova ia kupton Ukrainës dhimbjen shumë mirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në përvjetorin e 31-të të pavarësisë së shtetit.

Përmes një letre që e ka bërë publike në Twitter, Osmani ka thënë se Kosova është në mesin e pak vendeve në botë që kuptojnë plotësisht vuajtjet e popullit ukrainas.

“Ne e dimë si është te jesh shënjestër e regjimit gjenocidial dhe hegjemonik, dhuna e të cilit është brutale e nuk përjashton askënd, dhe nuk ka respekt për dinjitetin njerëzor apo për të drejtën tuaj që të ekzistoni si shtet”, ka thënë Osmani.

Tutje, presidentja ka thënë se populli i Kosovës vazhdon të jetë mirënjohës ndaj ushtarëve ukrainas që kanë marrë pjesë në misionin paqeruajtës në Kosovë, gjë për të cilën së fundi ka ndarë Medalje Presidenciale.

“Ne ju mbështesim juve me çdo kapacitet që kemi, dhe tashmë kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë. Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për të thelluar miqësinë dhe marrëdhëniet mes dy shteteve dhe njerëzve”, ka thënë Osmani mes tjerash në letër.

Aktualisht pjesë e KFOR-it më nuk janë trupat ukrainase sepse janë thirrur të kthehen në vendin e tyre për shkak të luftës së nisur nga Rusia./Shqip.com