Lajme

Osmani uron fqinjët për hapjen e negociatave, thirrje BE-së për liberalizimin e vizave për kosovarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Ajo po ashtu i ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që urgjentisht të zbatojnë vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për një hap më afër BE-së. Në këtë kohë përcaktuese, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri! Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të zbatojnë vendimin e vonuar për lirimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka falënderuar popullin shqiptar për durimin e treguar drejt rrugës së gjatë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Rama këtë e tha gjatë konferencës në Bruksel ku kishte shkuar për negociata për anëtarësimi e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Faleminderit mbarë popullit shqiptar i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari ndjekjen e rrugës evropiane”, tha ai.

Rama u shpreh se sfidat për të ardhur deri në këtë pikë veçse i kanë forcuar ata.

Kurse, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se hapja e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një moment historik.

Sipas von der Leyen kjo arritje e tyre është si rezultat i punës së palodhur./Shqip.com