Lajme

Osmani uron Begajn: Do të intensifikojmë bashkëpunimin në rrugën euro-atlantike Kosovë-Shqipëri

Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga Ilir Meta te presidenti i ri Bajram Begaj.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar Bajram Begaj pas marrjes zyrtare të postit të presidentit të Shqipërisë.

E para e shtetit ka thënë se në të ardhmen do të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, por edhe sa i përket rrugës së përbashkët euro-atlantike.

“Sot në inaugurimin e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në emër të qytetarëve të Kosovës, përcolla urimet më të sinqerta për suksese në këtë detyrë të rëndësishme”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Jam e bindur se do të intensifikojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe sa i përket rrugës sonë të përbashkët euro-atlantike”, ka shtuar Osmani, e cila mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga Ilir Meta te presidenti i ri Bajram Begaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke biseduar me presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj

Bajram Begaj është betuar më 24 korrik në Kuvendin e Shqipërisë si president i ri i vendit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në seancë, Begaj tha se ai do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Begaj do të pasojë në këtë detyrë Ilir Metën, i cili u zgjodh si President i republikës në vitin 2017-të.

Ai u zgjodh president i ri i Republikës në datë 4 qershor me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Begaj u zgjodh President në raundin e katër, dhe erdhi si propozim i mazhorancës në pushtet.

Ai është Presidenti i tetë i Shqipërisë./Shqip.com