Lajme

Osmani thekson rëndësinë e reagimit ndërkombëtar për lirimin e tre policëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë finlandez të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë pune.

Osmani, ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, ku ka theksuar përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët.

“Ajo foli edhe për tendendcat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Tutje, u bë e ditur se në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që Presidentja Osmani e vlerësoi si “akt të pastërt të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi”.

Osmani, gjithashtu tha se Kosova e vlerëson lartë partneritetin me Finlandën dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.

/Shqip.com