Lajme

Osmani tha se u cenua rendi kushtetues me moratoriumin 1-vjeçar, reagon ish-kryeministri Hoti

Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani.

“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!”.

Kështu i ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti presidentes, Vjosa Osmani, e cila tha se me nënshkrimin e moratoriumit 1-vjeçar në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit u cenuar rendi kushtetues i Kosovës.

Lexo edhe:
“Pranimi i moratoriumit ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës”

Përmes një postimi në Facebook, Hoti – i cili kishte nënshkruar këtë marrëveshje, deklaroi se vetëm politikanë me orientime jo perëndimore mund të mendojnë gjëra të tilla.

Sipas tij, ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla.  E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në.

Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavaur dhe të integruar në BE dhe NATO e jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë”, shkroi Hoti.

Ndryshe, Osmani në adresimin e saj vjetor para deputetëve deklaroi se me nënshkrimin e moratoriumit 1-vjeçar në Marrëveshjen e Uashingtonit, është cenuar rendi kushtetues i vendit dhe konsolifimi për subjektivitet ndërkombëtar.

Më 4 shtator, 2020, ishte nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova ishte pajtuar për një moratorium 1-vjeçar që të mos lobojë për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, teksa Serbia ishte pajtuar që të ndalonte fushatën agresive kundër Kosovës.

“Kosova do të pranojë të zbatojë një moratorium një vjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësimin Organizatat Ndërkombëtare. Serbia do të pranojë një moratorium një vjeçar për ndalje të fushatës së saj të çnjohjes dhe do të përmbahet të kërkojë ndonjë shtet ose organizatë ndërkombëtare që të mos njohë Kosovën si një shtet të pavarur. Të dy marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhet në pikën e 15-të të Marrëveshjes së Uashingtonit.