Lajme

Osmani takon u.d. kryeprokurorin e shtetit dhe kryesuesin e KPK-së, u diskutua për punën e Prokurorisë dhe bashkërendimit të institucioneve të drejtësisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Jetish Maloku.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e presidencës.

Po ashtu është bërë e ditur se në këtë takim u diskutua për nevojën e intensifikimit të punës së Prokurorisë dhe bashkërendimit të institucioneve të drejtësisë.

“Në këtë takim u diskutua për nevojën domosdoshme dhe urgjente të intensifikimit të punës së Prokurorisë dhe bashkërendimit të institucioneve të drejtësisë në parandalimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin adekuat të kryesve të veprave penale të dhunimeve, ngacmimeve seksuale dhe veprave penale kundër integritetit seksual”, thuhet në njoftim.

Foto nga takimi

Gjatë takimit, Osmani ka kërkuar nga KPK-ja dhe u.d. Kryeprokurori që t`i ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ashpërsuar këtë luftë dhe për të ngritur kapacitetet e nevojshme që të mundësohet një gjë e tillë. Njëkohësisht, Presidentja u zotua për përkrahjen e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe atyre ligj zbatuese në ndërmarrjen e këtyre hapave.

Osmani gjithashtu ri konfirmoi përkrahjen e saj për nismën për veting dhe reforma në drejtësi, si rruga më e nevojshme dhe e duhur në drejtim të garantimit të një sistemi gjyqësor e prokurorial me integritet dhe profesionalizëm. 

“Vetingu është ndër proceset reformuese më të rëndësishme në vendin tonë në drejtim të ndërtimit të një sistemi kredibil prokurorial e gjyqësor dhe kthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi”, ka thënë Osmani.

Në takim gjithashtu u diskutuan edhe zhvillimet aktuale rreth procesit të nominimit dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit./Shqip.com

/Shqip.com