Lajme

Osmani takon kryeshefin ekzekutiv të MCC-së, flasin për energjinë dhe sundimin e ligjit

Vjosa Osmani në takim me Mahmoud Bah

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të mërkurën kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Mahmoud Bah.

Siç njofton Presidenca, në këtë takim është rikonfirmuar partneriteti i fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe MCC-së.

“Në takim me z.Bah, Presidentja Osmani ka vlerësuar rolin dhe punën e MCC-së në Kosovë në promovimin e qeverisjes së mirë, sundimin e ligjit, si dhe avansimin e sektorit të energjisë, si parakushte për zhvillimin ekonomik në vend”, thuhet në komunikatën për media.

Osmani ka shprehur gatishmërinë e institucioneve për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Në veçanti, Presidentja Osmani ka vlerësuar gjithashtu edhe vendimin e SHBA-së për ndarjen e 200 milion eurove për Kosovën në kuadër të MCC-së, duke theksuar se ky vendim do të ketë ndikim të drejtpërdrejt edhe në performancen ekonomike në vend”, thuhet më tej në komunikatë.

Duke folur për nevojat e sektorit të energjisë, Osmani ka inkurajuar mbështetjen e investimeve në rritjen e efikasitetit të sistemit të shpërndarjes, kursimin e energjisë, por edhe aftësimin e fuqisë punëtore për nevojat e sektorit të energjisë në të ardhmen.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë punën që po bëhet për fuqizimin e vajzave dhe grave në sektorin e energjisë”./SHQIP.com