Osmani takoi profesorin Murphy, falënderon për mbështetjen në GJND
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim profesorin e të drejtës ndërkombëtare në Universitetin George Washington në Washington D.C., Sean D. Murphy, i cili ishte anëtar i ekipit përfaqësues të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin që lidhet me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Siç dihet, ky rast ishte një ndër fitoret më të mëdha në historinë e Kosovës, ku GJND konfirmoi se shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, njofton Presidenca kosovare.
Në takim me presidenten Osmani, u diskutua lidhur me punën e përbashkët që ishte bërë në atë kohë në mënyrë që Kosova të mblidhte argumentet e nevojshme që çuan në fitoren e Kosovës para kësaj gjykate si dhe për sfidat me të cilat Kosova po ballafaqohet edhe sot.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës për kontributin e profesorit Murphy dhe të gjithë ekipit të GJND-së dhe e ka njoftuar atë për disa prej nismave të rëndësishme të institucioneve të Kosovës që kanë për qëllim fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, njofton Presidenca.
Ndër të tjera, Osmani ka uruar profesorin Murphy për çmimin Doctor Honoris Causa në Universitetin e Prishtinës si mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin gjyqësor në GjND. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë bashkëpunimi me profesorin Murphy edhe në të ardhmen.
/Shqip.com