Lajme

Osmani takohet sot me krerët e sindikatave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet që sot duke filluar nga ora 15:00 të zhvillojë takim me krerët e sindikatave të Kosovës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar vetë Rrahman Jasharaj.

“Po pritet që në ora 15:00 të kemi takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Takimi pritet të ndodhë në zyrën e saj” ka thënë Jashari.

Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nga 1 shtatori ka vendosur të hyjë në grevë të përgjithshme.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk arritën të dakordohen me zyrtarë të institucioneve kërkesat e tyre.

Përmes saj, mësimdhënësit synojnë t’i realizojnë kërkesat e tyre për 100 euroshin dhe miratimin e Ligjit të Pagave.

E përmes një reagimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani është shprehur se në vend të grevës e cila i dëmton nxënësit duhet t’i jepet mundësi dialogut.

“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mos fillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar fillimisht Osmani.

Sipas Osmanit, Arsimi është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë./Shqip.com